Nuk është marrë vendim i ri për tarifat e energjisë
Deklarata
LAJMI I FUNDIT: Shtrenjtimi i rrymës, Gjykata merr vendim
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “LAJMI I FUNDIT: Shtrenjtimi i rrymës, Gjykata merr vendim” është i rremë. Edhe pse është publikuar si “lajm i fundit”, Gjykata nuk ka marrë ndonjë vendim të ri sa i përket vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të çmimit të energjisë që ishte marrë më 8 shkurt 2022. Vendimi i Gjykatës Supreme është marrë më 16 qershor 2022 dhe nga ajo kohë më nuk është marrë ndonjë vendim i ri për tarifat e energjisë elektrike.
Artikulli
Më 23 janar 2023, faqja e internetit bbcnewsm.com ka publikuar një artikull me titull: “LAJMI I FUNDIT: Shtrenjtimi i rrymës, Gjykata merr vendim”.
Ky artikull është shpërndarë edhe nga faqet e Facebook-ut Lajme Fresh24 dhe Kumanova press,
Në artikull thuhet se Gjykata Supreme e ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me shtyerjen e zbatimit të tarifave të reja të energjisë elektrike dhe se Supremja në vendim e cilësoi si të pabazuar padinë e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Në artikull nuk tregohet se kur është marrë vendimi dhe publikimi paraqitet si lajm i ri.
Në fakt vendimi i Gjykatës Supreme është marrë më 16 qershor 2022. Nga ajo kohë më nuk është marrë ndonjë vendim i ri për tarifat e energjisë elektrike.
Publikimi i artikullit me 23 janar 2023 është bërë në kohën kur temperaturat kanë filluar të bien dhe Qeveria e Kosovës ju ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike në mënyrë që të shmangen reduktimet.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se nuk do të ketë reduktime të energjisë pasi janë marrë gjitha masat që të sigurohet energji shtesë në kohën kur kërkesa për energji rritet.