schema:text
| - Video e stërvitjes së ushtrisë së Shqipërisë pretendohet rrejshëm se tregon vrasjen e Faton Hajrizit
Deklarata
Faton haziri perballet me 100 polic serb
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i videos “Faton haziri perballet me 100 polic serb” është i rremë. Automjetet ushtarake që shihen në video së bashku me disa qytetarë nuk janë xhiruar në Serbi dhe nuk tregojnë momentin e vrasjes së Faton Hajrizit. Video është xhiruar në Shqipëri dhe në pamje janë automjetet ushtarake të Ushtrisë së Shqipërisë. Gjithë ngjarja që shihet në video është stërvitje dhe protesta është e inskenuar për qëllime të stërvitjes. Në kohën kur kjo video është publikuar për herë të parë (më 30.06.2024) Faton Hajrizi ende ka qenë në burg, pasi i njëjti ishte arratisur më 06.07.2024.
Artikulli
Më 20.07.2024 një profil në instagram ka shpërndarë (arkiva) një video (reels) që pretendohet se janë pamje të momentit të vrasjes së Faton Hajrizit nga forcat serbe.
Videoja mban përshkrimin “Faton haziri perballet me 100 polic serb”.
Krypometër ka analizuar videon e publikuar nga faqja dhe ka verifikuar se video është shkëputur nga një video e publikuar (arkiva) fillimisht në Tiktok, më 30.06.2024.
Përmbajtja është publikuar në TikTok më 30.06.2024 dhe nuk ka ndonjë përshkrim që qartëson rrethanat e ngjarjes, por Krypometër ka biseduar me personin që e ka publikuar këtë video.
Pronari i profilit nga i cili është marrë videoja nga TikTok ka shpjeguar për Krypometër se pamjet që shihet në video janë nga një stërvitje e realizuar nga Ushtria e Shqipërisë dhe protesta është e inskenuar për qëllim të stërvitjes së realizuar.
Krypometër ka kontrolluar postimet e bëra nga Ushtria e Shqipërisë të bëra në Facebook. Kjo Ministri e ka shpërndarë një nga postimet e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, në të cilën shihen automjetet e njëjta që janë në videon në fjalë, të cilat shfrytëzohen nga Policia Ushtarake e Shqipërisë.
Në kohën kur është publikuar video në TikTok, Faton Hajrizi ende ka qenë në burg. Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024, apo një javë pasi ishte publikuar video në TikTok.
Hajrizi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, më 06.07.2024. Hajrizi ishte paraqitur disa herë në lidhjet Live në TikTok, mirëpo nuk është ditur vendndodhja e tij.
Më 18.07.2024 autoritetet e Serbisë kishin njoftuar se është vrarë polici Nikolla Krsmanoviq, dhe një tjetër ishte plagosur dhe se në vendin e ngjarjes ishte gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit.
Në të njëjtën ditë, Artan Hajrizi kishte dhënë disa intervista për mediat në Kosovë duke pretenduar se është në Gjermani dhe se nuk ka qenë në Serbi në momentin e vrasjes së policit.
Faton Hajrizi i cili kërkohej nga autoritetet e Serbisë për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, është vrarë në fshatin Trbushnicë, në pjesën perëndimore të Serbisë.
Më 19.07.2024, mediumi serb, N1info ka raportuar se ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili Hajrizi kishte kërkuar ujë. Sipas Daçiq, ai nuk ka pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.
Ndërkaq, më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se Faton Hajrizi është qytetari i cili është vrarë nga Policia serbe në vendin fqinj, Serbi.
Në një njoftim për media, MPJD tha se janë testuar disa shenja të gishtërinjve të cilat kanë rezultuar se janë të Hajrizit.
Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona për të cilët dyshohet se e kishin ndihmuar Hajrizin të arratisej nga burgu.
Kjo nuk ka qenë hera e parë që Faton Hajrizi kishte ikur nga burgjet e Kosovës. Faton Hajrizi ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus. Në kohën kur ai e kishte kryer vrasjen ishte vetëm 15 vjeçar.
|