schema:text
| - Përdorimi i mjekëve fiktivë për të vjedhur të dhënat personale dhe shitur ilaçe
Deklarata
“Kam gjetur një produkt që pastron enët e gjakut në katër ditë! Këto pilula të lira” dhe me titull “një intervistë me mjekun më të mirë në Kosovë!”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me mbishkrimin “Kam gjetur një produkt që pastron enët e gjakut në katër ditë! Këto pilula të lira” dhe me titull “një intervistë me mjekun më të mirë në Kosovë!” është i rremë. Në artikull janë përdorë mjekë fiktivë, të cilët janë ilustruar me fotografi të një mjeke nga Ukraina. Faqja në të cilën është publikuar artikulli nuk është një faqe për publikim të lajmeve (portal apo agjenci lajmesh) edhe pse ka një pamje të tillë. Në fund të kësaj faqeje thuhet se e njëjta do të grumbullojë të dhënat personale të përsonave që e shtypin butonin “porosit”.
Artikulli
Më 27.05.2024 faqja në Facebook ‘Clinic online’, (arkiva) ka publikuar një artikull me titull: Mjekët në Tiranë janë në panik! Kam gjetur një produkt që pastron enët e gjakut në katër ditë! Këto pilula të lira…..
I njëjti artikull është publikuar edhe në faqen ‘bino-bd.online’ (arkiva), me titull: Një intervistë me mjekun më të mirë në Kosovë!
Artikulli citon Nermina Haxhiu si eksperte në fushën e kardiologjisë, për të cilën thuhet se kanë bërë një intervistë “me mjekun më të mirë në Kosovë!”.
Krypometër ka kërkuar në listën e Odës së Mjekëve të Kosovës, nëse Haxhiu është e licensuar për ta ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë.
Në këtë listë nuk gjendet asnjë doktoreshë emër Nermina Haxhiu.
Në këtë artikull Nermina Haxhiu është e ilustruar me një fotografi e cila pas kërkimeve në ‘Yandex’ dhe ‘Google Lens’ rezulton se është publikuar disa herë në internet (shih këtu, këtu dhe këtu) dhe është paraqitur si kardiologja nga Ukraina, Yulia Viktorovna.
Artikulli gjithashtu promovon një produkt që pretendohet se pastron enët e gjakut.
Krypometër ka kontrolluar edhe nëse ky produkt bën pjesë në listën e produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës dhe ka gjetur se produkti ‘Hyper Caps’, nuk bën pjesë në listën e produkteve me Autorizim Marketingu në kuadër të Agjencisë së Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale.
Artikulli është publikuar në faqen ‘bino-bd.online’, e cila ka pamjen dhe dizajnin e një portali por në fakt nuk është e tillë. Edhe pse portali ka përmbajtje në gjuhën shqipe, disa prej rubrikave të kësaj faqeje të internetit janë në gjuhën serbe. Kur klikohet në cilëndo prej rubrikave apo titujve tjerë, linqet dërgojnë te dritarja që mundëson porositjen e këtij ilaçi.
Ilaçi me emër ‘Hyper Caps’ ofrohet për shitje me një çmim prej 39 euro. Megjithatë, në fund të kësaj faqe thuhet se duke klikuar butonin “Porositë” pajtohesh me politikat e privatësisë dhe e jep pëlqimin për përpunimin e të dhënave personale. Megjithatë, politikat e privatësisë së kësaj faqe nuk janë të qasshme.
Kur Krypometër e ka konsultuar kardiokirurgun Rifat Brahimaj në lidhje me këtë postim, ai ka thënë se në mjekësi nuk ekziston termi, ‘pastrimi i enëve të gjakut’.
“Nuk ekziston asnjë produkt që i “pastron” enët e gjakut nëse ato janë të dëmtuara. Nëse enët e gjakut janë të pa dëmtuara ose pjesërisht të dëmtuara, për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë duhet të kontrollohen faktorët që shkaktojnë këto dëmtime siç janë, presioni i lartë i gjakut, duhanpirja, diabeti, niveli i lartë i yndyrave në gjak, jeta aktive me ushtrime fizike dhe ushqimi pa përmbajtje të lartë të yndyrnave me origjinë shtazore”- thuhet në përgjigjen e Bahimajt për Krypometër.
|