schema:text
| - Logoja e rreme që lidhë LDK-në me Partinë Komuniste
Deklarata
Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Doarsa Kica, Imri Ahmeti, Hikmete Bajrami dhe Gazmend Muhaxheri
Vlerësimi
Rrenë
Stema mbi të cilën është vendosur emri i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk i takon kësaj partie. Kjo stemë i takon Lidhjes Komuniste, partisë së vetme që ka qeverisur në Jugosllavi, pjesë e të cilës ishte edhe Kosova. Emrat e listuar mbi ketë llogo, që janë edhe pjesë e kryesisë së LDK-së si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Doarsa Kica, Imri Ahmeti, Hikmete Bajrami dhe Gazmend Muhaxheri. Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë për Krypometër se fotografia “nuk ka të bëjë aspak me Lidhjen Demokratike të Kosovës”.
Artikulli
Më 22 janar 2024 në rrjetin social Facebook është publikuar (arkiva) një fotografi në të cilën shihet një logo përmes të cilës faqja pretendon se është e lidhur me krerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në logo është vendosur mbishkrimi LDK dhe janë listuar emrat e kryesisë së LDK-së si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Doarsa Kica, Imri Ahmeti, Hikmete Bajrami dhe Gazmend Muhaxheri.
Krypometër fillimisht ka analizuar fotografinë dhe ka gjetur se mbishkrimi i “LDK” nuk i përket logos që është ilustruar nga faqja. Përmes “Google Lens”, Kryepometër ka gjetur se logoja i përket distinktivit që mbanin oficerët që i shërbenin ish udhëheqësit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësen e LDK-së, Sibel Halimi për të sqaruar fotografinë. Halimi ka thënë se logoja nuk ka të bëjë asgjë me partinë dhe kryesinë e saj.
“Kjo foto nuk ka të bëjë aspak me Lidhjen Demokratike të Kosovës”- ka thënë Halimi për Krypometër më 29 janar 2024.
Krypometër gjithashtu ka hulumtuar në internet për të gjetur logon e LDK-së në kohën kur kjo parti është themeluar. Adnan Merovci, ish-truproja i ish-presidentit Ibrahim Rugova kishte publikuar para pesë vitesh një foto që ilustronte se si dukej stema e LDK-së në vitin 1990.
Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë u pajtuan që të themelonin një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit që kishin nisur në vendet e bllokut të atëhershëm socialist.
Ky grup intelektualësh e caktuan kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe.
Kryetar aktual i LDK-së është Lumir Abdixhiku, ndërsa nënkryetar të partisë janë zgjedhur Anton Quni, Hykmete Bajrami, Doarsa Kica Xhelili, Gazmend Muhaxheri dhe Lutfi Haziri.
Ndërsa, Sekretar i Përgjithshëm është rizgjedhur Imri Ahmeti, ndërsa Sokol Haliti është zgjedhur sekretar për degë me jashtë.
Në anën tjetër, Josip Broz Tito ish-udhëheqës i Jogusllavisë, ka lindur më 7 maj 1892 në Kroaci. Ai ishte udhëheqës i Jugosllavisë nga viti 1943 deri në 1980-tën. Tito ishte sekretar i përgjithshëm, më vonë edhe president, i Partisë Komuniste (Lidhja e Komunistëve) të Jugosllavisë.
Isa Mustafa, në periudhën 2009-2021, ishte Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mustafa ka mbajtur pozita publike, në kohën kur Kosova është qeverisur nga Partia Komuniste.
Për dy mandate, Mustafa ka qenë kryeshef ose kryetar i këshillit Ekzekutiv të Prishtinës, në kuadër të së cilës ka qenë Fushë Kosova, Obiliqi dhe Novobërda, të cilat sot janë komuna të ndara. Ai ka qenë edhe drejtor Entit për Zhvillim të Kosovës, i cili është marrë me planifikim të zhvillimit dhe me projekte 5 vjeçare. Drejtori i Entit për Zhvillim të Kosovës, në atë kohë, me automatizëm ka qenë pjesë e qeverisë së Kosovës për aspektet zhvillimore.
|