schema:text
| - Manastiri i Deçanit, foto/REL
Rrena se prifti serb u arrestua
Deklarata
Policia e ka arrestuar priftin serb i cili financoi të ashtuquajturën “Lëvizje vullnetare për braktisjen e fesë Islame”
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Policia e ka arrestuar priftin serb i cili financoi të ashtuquajturën “Lëvizje vullnetare për braktisjen e fesë Islame” është i rremë krypometër me burime zyrtare nga Policia e Kosovës ka konfirmuar se Policia nuk ka arrestuar ndonjë prift serb.
Artikulli
Me 25/10/2023 faqja në Facebook me emrin ‘Podujeva info’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të Policisë së Kosovës duke arrestuar një person, me mbishkrimin “Policia e ka arrestuar priftin serb i cili financoi të ashtuquajturën “Lëvizje vullnetare për braktisjen e fesë Islame”. Shkurt e paskan pas këta “talenta’. Një bravo e madhe për policinë tonë që shumë shpejtë e dekonspiroi këtë ‘Garazha Lëvizje”.
Krypometër ka kontrolluar nëse me datëN 25 tetor 2023 ka pasur një arrestim të një prifti serb dhe lidhet me ngjarjet me nismën nga Deçani për ndryshim të fesë.
Krypometër ka konstatuar se nga Policia e Kosovës dhe nga Ministria e Brendshme në muajin tetor 2023 nuk ka pasur njoftime për arrestimin e ndonjë prifti serb.
Në një komunikim zyrtar, nga zyra e mediave të Policisë kanë konfirmuar se nuk ka pasur prift të arrestuar.
Të dhënat zyrtare të Policisë flasin se personit me inicialet A.K nga Maqedonia e Veriut vetëm se nuk i është vazhduar leje qëndrimi.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, shtetasit A.K, nga Maqedonia e Veriut i ka refuzuar kërkesën për vazhdim të lejeqëndrimit në RKS, sipas ligjit për të huaj 04/L-219” thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë.
Krypometër ka verifikuar nëse pas këtij refuzimi personi në fjalë është arrestuar.
Policia në komunikimin zyrtar ka konfirmuar se personi nuk është arrestuar, por i njëjti është dëbuar nga vendi“. I njëjti me datë 20.10.2023, është deportuar nga Kosova për në shtetin e origjinës, përmes PKK- Hani i Elezit, pasi sipas ligjit për të huaj 04/L-219, personi paraqet rrezik për rendin dhe sigurinë publike të Republikës së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Policisë.
Krypometër ka kërkuar nga Policia të kuptojë nëse deportimi ka lidhje me Deçanin.
“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për shkrimet e publikuara në disa media maqedonase, përfshirë ato për kinse ndërlidhje apo financime të grupeve të ndryshme në Deçan, etj.”- ka thënë Policia në përgjigjen zyrtare.
Në fund të tetorit, mediat kishin raportuar se në Komunën e Deçanit është formuar këshilli iniciues për formimin e të ashtuquajturës “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame”, me moton “Të jemi vetëm shqiptar”.
|