schema:text
| - Rrena për lirimin e krerëve të UÇK-së nga Haga
Deklarata
Vjen lajmi qe do ti gëzojë të gjithë/ Lirimi i krerëve të UÇK-së po ndodhë? – ja Çfarë u zbulua
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “Vjen lajmi qe do ti gëzojë të gjithë/ Lirimi i krerëve të UÇK-së po ndodhë? – ja Çfarë u zbulua” është i rremë. Gjykata e Hagës nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me lirimin e krerëve të UÇK-së nga paraburgimi në Hagë. Për dallim nga titulli, në artikull flitet krejt diçka tjetër. Aty flitet se si qeveria e Kosovës në bashkëpunim me policinë e vendit është dashur që deri tani të sigurojnë kapacitete për lirimin e krerëve.
Artikulli
Faqja e internetit olajme.com, webknews899.com dhe infospostmedia.com ka shpërndarë një informacion me titullin “ Vjen lajmi që do ti gëzojë të gjithë/ Lirimi i krerëve të UÇK-së po ndodhë? – ja Çfarë u zbulua”.
I njëjti informacion është shpërndarë në disa faqe në Facebook, si: Lajmi Fundit, Shqipëria, Ilirida Jonë, AlbTech Plus.
Titulli në këtë faqe nuk është i vërtetë, pasi që krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim dhe procesi ndaj tyre është ende në zhvillim e sipër.
Artikulli me këtë titull është i përgjithshëm dhe thjeshtë tregon ndodhitë që publiku veç është i njoftuar më herët me to.
Kjo faqe e internetit, në këtë artikull i është referuar veprimeve që ka ndërmarrë gazeta Blic për sigurimin e këtyre informacioneve.
Sipas këtij artikulli, gazeta Blic ka kontaktuar me një sekretar të OVL UÇK i cili ka kritikuar qeverinë aktuale dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë, të cilët është dashur deri tash të garantojnë kapacitete për lirimin e parakohshëm nga paraburgimi i krerëve të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Gjykata Speciale në Hagë, me datë 9 qershor të këtij viti, ka marrë vendim që të ua vazhdojë paraburgimin ish-presidentit Hashim Thaçi, e ish-kryetarit i Kuvendit, Kadri Veseli si dhe u ka refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak me arsyetimin se mund të ikin, të kenë ndikim në procedurë dhe të shkatërrojnë provat.
Konferenca e radhës për gjykimin e tyre do të mbahet sot me datë 8 shtator 2022.
|