schema:text
| - Rrena e Daçiqit për pamje të borës në videon që shihet Radoiçiqi
Deklarata
Ivica Daçiq (26.09.2023) – “Ka pasur edhe borë, që do të thotë se nuk është xhirim nga ajo ditë”.
Ivica Daçiq (01.10.2023) – “Dikush më tha se ishte një video më e vjetër, nuk e kontrollova. Gabimi im. Nuk kam dashur ta shfajësoj Radoiçiqin”.
Vlerësimi
Rrenë
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se video në të cilin shihet Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist në Banjskë, është e vjetër, pasi në të ka pasur borë. Ky deklarim është i rremë. Në videon e publikuar nga Policia e Kosovës, në të cilën shihet Radoiçiq nuk shihet borë, por ai rrethohet me pemë që ende i kanë gjethet e gjelbra. Përveç kësaj, Krypometri e ka vizituar vendin që është filmuar Radoiçiq dhe pamjet përreth janë të ngjashme me ato që shihen në videon e publikuar nga Policia e Kosovës. Disa ditë më vonë edhe vet Daçiqi e pranoi se kishte dhënë deklaratë të rreme. Ai tha se gaboi dhe nuk e ka bërë për ta shfajësuar Millan Radoiçiqin.
Artikulli
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, më 26 shtator 2023 kishte thënë se videoja e publikuar nga autoritetet kosovare, në të cilën shihet edhe Millan Radoiçiq pas sulmit terrorist në Banjskë, është video e vjetër. Ai po ashtu ka deklaruar se në këtë video ka pasur edhe borë.
“Këtu po përpiqet të dëshmojë veten dhe të tregojë se ka qenë Milan Radoiçiq apo Zvonko Veselinoviq që i ka kryer këto veprime. Nga njëra anë thonë se Vuçiq është organizator, e në anën tjetër ne hoqëm dorë dhe gjithçka e bartëm në Kosovë. Ka pasur edhe borë, që do të thotë se nuk është xhirim nga ajo ditë” – kishte deklaruar Daçiq në intervistë për televizionin publik serb RTS më 26 shtator 2023.
Pamjet e marra nga droni, të cilat u publikuan më 26 shtator 2023, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shfaqën një grup të terroristëve të armatosur e uniformuar, jashtë objektit të bujtinës së Manasatirit të Banjskës, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake. Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit.
Në mesin e tyre ishte edhe Millan Radoiçiq, i cili më 29 shtator 2023, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
“Unë personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për të mbrojtur popullin tonë nga okupatori. Unë kam marrë vendim të bëj këtë akt të them se Kosova është vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim, Republikës së Serbisë, po merret me dhunë ndërsa populli serb dëbohet me qëllim përfundimtar që Kosova të pastrohet tërësisht nga populli serb” – thuhet në letrën e Radoiçiq.
Në videon e publikuar nga Policia e Kosovës, në të cilën shihet Radoiçiq nuk shihet borë, por ai rrethohet me pemë që ende i kanë gjethet e gjelbra. Përveç kësaj, Krypometri e ka vizituar vendin që është filmuar Radoiçiq dhe pamjet përreth janë të ngjashme me ato që shihen në videon e publikuar nga Policia e Kosovës.
Pasi Radjiçiq e pranoi që ishte udhëheqës i grupit terrorist, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq e ndërroi deklaratën e tij. Edhe pse në deklarimin e parë kishte folur në detaje për videon, tash Daçiq thotë se nuk e ka parë fare videon.
“Dikush më tha se ishte një video më e vjetër, nuk e kontrollova. Gabimi im. Nuk kam dashur ta shfajësoj Radoiçiqin” – tha Daçiq, më 1 tetor 2023, pesë ditë pas deklaratës së parë.
Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se njëri nga të vrarët ka qenë Bojan Mijailoviq, truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë e njohur si BIA serbe, Aleksandar Vulin.
Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Më 27 shtator 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq është në Serbi, por nuk është i plagosur.
|