schema:text
| - Loja e rrejshme për të fituar një Iphone
Deklarata
Nëse gjeni një numër tjetër përveç {29}, do të fitoni një çmim të madh iPhone
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi “Nëse gjeni një numër tjetër përveç {29}, do të fitoni një çmim të madh iPhone”- i bërë nga faqja “Iphone Series”. Kjo faqe është hapur vetëm një muaj para se të bëhej postimi, i cili është komentuar më shumë se 900 herë. Menaxherët e faqeve kanë kërkuar që postimi i kësaj faqeje të shpërndahet në të paktën 10 grupe në Facebook. Krypometër nuk ka gjetur ndonjë biznes më të njëjtin emër që është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
Artikulli
Më 27.11.2024, faqja në Facebook “Iphone Series” (arkiva), ka bërë një postim me përshkrimin “Nëse gjeni një numër tjetër përveç {29}, do të fitoni një çmim të madh iPhone”.
Si shënim shtesë, është theksuar: “Ky shërbim është i destinuar për ata që nuk kanë marrë kurrë një dhuratë nga ne”.
Ky postim ka marrë 934 komente, 94 shpërndarje dhe mbi 100 reagime, nga lexuesit.
Për të verifikuar këtë postim, Krypometër ka komentuar në këtë postim sipas udhëzimeve të pjesëmarrjes në lojë.
Pas komentit në postim, faqja ka kërkuar detaje për vendbanimin, si dhe shpërndarjen e këtij postimi në 10-15 grupe në Facebook.
“Kushti kryesor për të marrë çmimin është të shpërndani postimin tonë në 10-15 grupe tuaja në Facebook përpara se të përfundojë fushata. Ne do t’ju japim 15 minuta për të ndarë postimin tonë. Pasi të keni përfunduar ndarjen, prisni që ne t’ju kontaktojmë ndërsa ekipi ynë kontrollon se sa keni ndarë. Shpërndajeni tani!!”- thuhet në përgjigjen e kësaj faqeje, pasi u dërgua vendbanimi.
Pas përgjigjes se ‘posti është shpërndarë’ sipas kërkesës , nuk është dhënë ndonjë përgjigje shtesë nga kjo faqe.
Tutje, Krypometër e ka analizuar faqen në Facebook, që e ka bërë këtë postim dhe rezulton se ajo e ka bërë vetëm një postim, atë për lojën shpërblyese.
Faqja, në Facebook, “Iphone Series” (arkiva) rezulton se është hapur më, 07.10.2024, apo, vetëm një muaj para se të bëjë postimin e parë. Kjo faqe nuk ka lënë asnjë të dhënë, duke përfshirë ‘adresën’ apo ‘numrin kontaktues’.
Krypometër nuk ka gjetur ndonjë biznes më të njëjtin emër që është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
|