schema:text
| - Lajmi i rremë se Kurti takohet me Harris
Deklarata
Kurti takohet me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris
Vlerësimi
Me kos
Artikulli me titull “Kurti takohet me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris”- është i rremë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk e ka takuar Zëvendës Presidenten e ShBA-së dhe kandidaten për Presidente të SHBA-së, Kamala Harris gjatë vizitës së tij të fundit ne ShBA. Kjo është konfirmuar nga kabineti i kryeministrit Kurti. Kurti e kishte takuar Harris-in në vitin 2021, në Paris dhe fotografia dhe një pjesë e lajmit përputhet me postimin që kishte bërë kryeministri Kurti në vitin 2021.
Artikulli
Më 22.08.2024 faqja e internetit ‘Gazeta Bota Sot’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Kurti takohet me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris”.
I njëjti është shpërndarë edhe në faqe të Facebook-ut si Bota e Lajmeve (arkiva), Bota Sot (arkiva), Radio Gjilani (arkiva), Almakos.com (arkiva).
Në dy paragrafet e para të tekstit ka kundërthënie, pasi fillimisht thuhet se Kurti po merr pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago e më pas thuhet se Kurti ka zhvilluar takime të shumta në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime të shumta në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris”- thuhet në fillim të këtij teksti.
Pas kërkimit të fotografisë në “TinEye”, Krypometër ka gjetur se fotografia që është përdorur për të ilustruar lajmin, i përket një postimi të Kurtit në nëntor të vitit 2021, kur ai kishte marrë pjesë në Forumin e Parisit për Paqe.
Në kuadër të një darke solemne, e organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kurti kishte takuar zëvendëspresidenten Harris dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff.
“Dje [12.11.2021] dhe sot po marr pjesë në Forumin e Parisit për Paqe. Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë na pritën për një darkë solemne në Pallatin Élysée, ku bashkë me gruan time Ritën, patëm nderin dhe kënaqësinë të takohemi me Zëvendës Presidenten e ShBA-së, Znj. Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff”- thuhej në postimin e kryeministrit.
Krypometër ka analizuar artikullin e publikuar nga ‘Gazeta Bota Sot’ (arkiva) më 22.08.2024 dhe i njëjti ka disa informacione të ngjashme me njoftimin e bërë nga kryeministri Kurti në vitin 2021, e nga i cili ishin publikuar edhe lajme në atë kohë.
Në artikullin e publikuar nga ‘Gazeta Bota Sot’ (arkiva) më 22.08.2024 thuhet se kryeministri Kurti në një postim në Facebook ka njoftuar për takimin me Zëvendës Presidenten e ShBA-së, Znj. Kamala Harris. Krypometër ka kontrolluar postimet e bëra nga Kurti që nga data 15.08.2024 e deri më 25.08.2024, mirëpo në asnjë prej këtyre postimeve nuk ka thënë se gjatë qëndrimit në SHBA kishte takim bilateral me Harris.
Krypometër ka kontaktuar edhe me kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Këshilltari politik në Zyrën e kryeministrit të Kosovës, Klisman Kadiu ka thënë se Kurti nuk ka pasë takim bilateral me Harris gjatë qëndrimit të tij në SHBA.
“Jo nuk ka pasur takim. Fotoja e ilustruar i përket viteve më parë”- ka thënë Kadiu për Krypometrin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në ShBA me ftesë të Institutit Demokratik (NDI), për Konventën Demokratike të vitit 2024, si pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024.
Se Kurti ka shkuar me ftesë të NDI-së, kishte bërë të ditur edhe Zyra e Kryeministrit dhe Departamenti i Shtetit.
Nga DASH thanë se nuk është paralajmëruar ose caktuar ndonjë takim mes kryeministrit Kurti me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
“Nuk kemi asnjë takim dypalësh për të paralajmëruar”– shkruan në përgjigjen e DASH-it për KALLXO, më 20.08.2024.
Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se Kurti gjatë qëndrimit në ShBA do të mbajë takime dypalëshe, pa specifikuar se me çfarë zyrtarësh.
Në ditën e dytë të Konventës më 20.08.2024, Kurti mori pjesë në panelin e diskutimit me titull “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”. Ngjarja u mbajt në Çikago, atje ku është mbajtur Konventa Kombëtare Demokratike, dhe u organizua nga NDI, si pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024.
Në Konventën Kombëtare Demokratike Zëvendës Presidentja Kamala Harris dhe Guvernatori Tim Walz janë nominuar zyrtarisht nga demokratët për Presidente dhe Zëvendës President të Shteteve të Bashkuara.
|