schema:text
| - Deklarata për vjedhjen e 2.1 milionë eurove që rrejshëm i vishet Hykmete Bajramit dhe Avdullah Hotit
Deklarata
Këta dy persona Popullit te kosoves ja vodhën 2.1 Miljon ero
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë mbishkimi “Këta dy persona Popullit te kosoves ja vodhën 2.1 Miljon ero” i vendosur tek fotografia e ish- kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ish- ministres së Financave, Hykmete Bajrami. Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj ish- ministres Bajrami apo ndaj ish- kryeministrit Hoti rreth vjedhjes së 2.1 milionë eurove. Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dënuar dy persona të tjerë për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Republikës së Kosovës. Labinot Gruda është denuar 11 vjet burg, ndërsa Kadri Shala është dënuar me 10 vjet burg.
Artikulli
Më 27.07.2024 një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi të ish- kryeministrit Avdullah Hoti si dhe të ish- ministres së Tregëtisë, Hykmete Bajrami, me mbishkrimin “Këta dy persona Popullit te kosoves ja vodhën 2.1 Miljon ero”.
Kjo fotografi është publikuar në grup publik në Facebook ‘VETËVENDOSJE!’, e cila ka rreth 5 mijë anëtarë.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kërkuar vendimet e gjykatave në Kosovë që janë marrë lidhur me vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Republikës së Kosovës.
Është fakt që në kohën kur ishin vjedhur 2.1 milionë eurot nga Thesari i Shtetit, ministre e Financave ishte Hykmete Bajrami e kryeministër ishte Avdullah Hoti. Në kohen kur kishte ndodhur skandali i 2.1 milionëshit, Hykmete Bajrami si ministre e Financave, e kishte denoncuar rastin duke thënë se bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë euro që kanë shkuar tek një Operator Ekonomik.
Mirëpo, në aktakuzën e Prokurorisë dhe në vendimet e gjykatave, Hoti e Bajrami nuk janë akuzuar e as dënuar për këtë vjedhje.
Gjykata i ka dënuar me burg dy persona të tjerë për vjedhjen e 2.1 milionë eurove.
Gjykata Themelore e kishte dënuar Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe dënim me gjobë në vlerën 8,500 euro. Po ashtu i ishte shqiptuar dënimi plotësues me të cilin ia ndalon ushtrimin e punëve në funksion publik.
Ndërsa, të pandehurin Kadri Shala gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro. Gjykata në shpallje të vendimit kishte njoftuar se e tërë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme është konfiskuar.
Gjykata e Apelit me aktgjykim ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë me të cilin kishte dënuar dy të akuzuarit.
Çka thotë aktakuza?
Në aktakuzën e Prokurorisë përshkruhet në detaje se si është kryer transferi i 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëve. Prokuroria Speciale e ka akuzuar zyrtarin e Ministrisë së Financave, Labinot Gruda, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, hyrje në sistem kompjuterik, vjedhje të identitetit dhe qasjes së paautorizuar.
Ndërsa Kadri Shala nga e njëjta prokurori po akuzohet për veprën penale të ndihmës lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, Gruda i kishte transferuar paratë nga Thesari i Shtetit te Kadri Shala, i cili i kishte shpërndarë në disa kompani të tjera.
Krypometër ka biseduar me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me këtë pretendim.
“Hajnat e 2.1 milionëshit janë në burg. Edhe hajnat e tjerë do të shkojnë në burg sikurse këta që po shpërndajnë informacione të rreme me çka na rrezikojnë jetën neve të zgjedhurve të qytetarëve”- ka thënë Bajrami për Krypometër.
Krypometri ka kontaktuar gjithashtu edhe me deputetin nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se postimi është i rremë pasi tashmë gjykata ka treguar se kush janë hajnat e 2.1 milionë eurove.
Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës pasi kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14.02.2024.
|