Albin Kurti nuk ishte në vizitë zyrtare në Paris në vitin 2023
Deklarata
Kurti me video tregon se nesër niset për Paris – mund ta takojë Vuçiqin atje
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Kurti me video tregon se nesër niset për Paris – mund ta takojë Vuçiqin atje” është i rremë në kohën kur është publikuar. Kjo video është pjesa kryesore e lajmit të publikuar më 9 nëntor 2022. Kurti nuk ka qenë në Paris më 5 shkurt 2023 dhe nuk është paralajmëruar ndonjë vizitë e re në Francë.
Artikulli
Më 4 shkurt 2023 faqja “Info Ditore” publikoi një lajm më titull: “Kurti me video tregon se nesër niset për Paris – mund ta takojë Vuçiqin atje”.
I njëjti lajm u shpërnda edhe në disa faqet tjera në Facebook, si: “Rrotull.al”, “Dardanët Sot” dhe “Explorer Shqip”.
Lajmi është i rremë, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka udhëtuar në Paris në fillim të muajit shkurt. Kurti ka qenë në një vizitë zyrtar në Turqi, por jo në Paris.
Kryeministri përmes një videoje të publikuar në nëntor të vitit 2022 e kishte paralajmëruar një vizitë në Paris.
Kjo vizitë në Paris ishte bërë në kuadër të Forumit për Paqe në të cilin kanë marrë pjesë të gjithë liderët e Ballkanit.
Kryeministri Kurti njoftimin për këtë vizitë dhe mundësinë që të takojë edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, atje e bëri përmes një videoje në rrjetin Facebook më 9 nëntor 2022.