schema:text
| - Pamjet e rreme që paraqesin përmbytjet në Dubai
Deklarata
Dubai city fully flooded (në shqip- Qyteti i Dubait i përmbytur plotësisht)
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i videos “Dubai city fully flooded (në shqip- Qyteti i Dubait i përmbytur plotësisht)” është i rremë. Në Dubai kishte reshje e vërshime, mirëpo pamjet e paraqitura në këtë video nuk janë xhiruar në Dubai. Pamjet në këtë video janë xhiruar në qytetin Zhengzhou të Kinës, kur u përball me vërshime në vitin 2021.
Artikulli
Më 18.04.2024, faqja e Facebook-ut ‘123 Albania’, (arkiva) ka publikuar një video përmes të cilës pretendon se janë pamje nga përmbytjet në Dubai.
Video mban mbishkrimin “Dubai city fully flooded (në shqip- Qyteti i Dubait i përmbytur plotësisht)”. Në postim është vendosur përshkrimi “Komplet kjo tokë dhe ky njerzim do denohet nga keqpërdorja”.
Krypometër përmes instrumentit për kërkim të fotografive “Google Lens”, ka gjetur se pamjet që shihen nuk paraqesin gjendjen e Dubait pas reshjeve të muajit prill 2024.
Pamjet që shihen në video janë xhiruar në muajin korrik të vitit 2021, kur qyteti Zhengzhou i Kinës u përball me përmbytje.
Rreth 200,000 banorë u evakuuan në Zhengzhou dhe të paktën 25 njerëz vdiqën pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitje dheu dhe përmbytje në kryeqytetin e provincës Henan.
Llogaria zyrtare në Twitter e OKB-së për ndryshimet klimatike shpërndau gjithashtu një foto të automjeteve që notojnë në ujë dhe shkroi: “Ndikimet dramatike klimatike vazhdojnë në mbarë botën. Zhengzhou në Kinë ka parë reshjet më të larta ditore që nga fillimi i regjistrimeve të motit, duke marrë ekuivalentin e 8 muajve të shiut, në një ditë të vetme”.
Ndërkaq, qyteti i Dubait i Emirateve të Bashkuara Arabe, më 17.04.2024 u përmbyt si pasojë e stuhisë së shiut që përfshiu vendin.
Gadishulli Arabik u përball me reshjet më të mëdha të shiut në historinë e këtij vendi.
Reshjet janë të rralla në Emiratet e Bashkuara Arabe që njihen për klimën e thatë të shkretëtirës.
|