schema:text
| - Rrena se Nenad Orlloviq është arrestuar për tortura gjatë luftës
Deklarata
“Policia e Kosoves e kap serbin te dyshuar per tortura gjat luftes ne Kosove, n’autolarje ne n’veri”
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Policia e Kosoves e kap serbin te dyshuar per tortura gjat luftes ne Kosove, n’autolarje ne n’veri” është i rremë. Krypometër ka verifikuar me burime zyrtare se personi i arrestuar është i dyshuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29.05.2023 në Zveçan.
Artikulli
Më 23.06.2023, faqja Zhabarzhabari në TikTok kishte publikuar një video (Arkivi), në të cilën shihet arrestimi i një personi afër një autolarje. Sipas faqes në fjalë, arrestimi i të dyshuarit është bërë në veri të Kosovës për shkak të torturave që pretendohet se i ka bërë gjatë luftës në Kosovë.
“Policia e Kosoves e kap serbin te dyshuar per tortura gjat luftes ne Kosove, n’autolarje ne n’veri”- thuhet në përshkrimin e kësaj video.
Krypometri ka konfirmuar se personi në fjalë nuk është arrestuar për tortura gjatë luftës, por për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në një njoftim zyrtar të Policisë së Kosovës të publikuar më 23.06.2023, ishte thënë se zyrtarët policorë kishin arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023 në Zveçan. I dyshuari, sipas policisë ka qenë Nenad Orlloviq, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.
Pamjet e arrestimit të “Rusit” që janë pubilkuar në muajin qershor 2023, janë po të njëjtat pamje që i ka ri-publikuar edhe faqja Zhabarzhabari në TikTok.
Policia kishte thënë se Orlloviq dyshohet për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29.05.2023, kur si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore”- thuhej në njoftimin e Policisë.
“Rusi” ka qenë një nga personat që është arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri që nisën që nga 26.05.2023.
|