schema:text
| - Rrena për dorëheqjen e Artane Rizvanollit
Deklarata
Ekskluzive: Jep dorëheqje edhe ministrja Artane Rizvanolli?!
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titullin “Ekskluzive: Jep dorëheqje edhe ministrja Artane Rizvanolli?!” është i rremë. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk ka dhënë dorëheqje. Këshilltarja e Ministres së Ekonomisë, Edita Pozhegu ka thënë se ‘dorëheqja e Ministres as që është diskutuar ndonjëherë’.
Artikulli
Në faqen e “Facebook”-ut të portalit “Gazeta NewBorn” dhe në faqen “Al-Press” është publikuar një informacion me titullin: Ekskluzive: Jep dorëheqje edhe ministrja Artane Rizvanolli?!
Ky informacion së pari është publikuar më 7 tetor 2022 në orën 13:54 në Gazeta NewBorn.
Lajmi është shpërndarë edhe në faqet e Facebook-ut si në; Vupol, Universal, Istogu CHanel, Prishtina, Plus Media, VicianaPress e Suhareka LAJM.
Në përshkrim thuhet se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka dhënë dorëheqje nga ky post.
Ky portal ka cituar burime të tyre “të afërta por të pakonfirmuara”.
“Gazeta NewBorn nga burime të afërta por të pa konfirmuara, mëson se dorëheqja e Rizvanollit nga pozita e saj si ministre iu është dorëzuar kryeministrit Albin Kurtit” – thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook” të portalit “Gazeta NewBorn”.
KALLXO.com ka kontaktuar me këshilltaren e ministres Rizvanolli, Edita Pozhegu.
Pozhegu e ka demantuar këtë informacion duke thënë se nuk është diskutuar ndonjëherë dorëheqja.
“Nuk ka asgjë të vërtetë lidhur me lajmin. Dorëheqja e Ministres as që është diskutuar ndonjëherë”- ka thënë këshilltarja e ministres së Ekonomisë, Edita Pozhegu.
Me datën 6 tetor 2022, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si Ministër.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”- thuhet në letrën e dorëheqjes.
|