schema:text
| - Rrena e Gëzim Kelmendit për Sllobodan Gavriqin
Deklarata
Kelmendi: “Gavriq ka pranuar se ka planifikuar një sulm terrorist me 13 kg eksploziv…. të përforcuar me gozhda.. për të qenë më produktiv”.
Vlerësimi
Rrenë
Deputeti i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi nuk e ka thënë të vërtetën kur ka deklaruar se serbi Sllobodan Gavriq kishte pranuar se kishte qëllim kryerjen e një sulmi terrorist në Prishtinë. Në të gjitha deklaratat e tij në polici, prokurori, gjykatë dhe në media, Gavriq në asnjë rast nuk kishte pranuar se qëllimi i tij ka qenë kryerja e një sulmi terrorist.
Artikulli
Në paraqitjen e tij të fundit në media deputeti i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, duke folur për rrezikun e terrorizmit ka përmendur edhe rastin e Sllobodan Gavriqit.
Kelmendi në emisionin Interaktiv të KTV-së ka dhënë një deklaratë të pabazuar kur ka thënë se Gavriq e kishte pranuar se qëllimi i eksplozivit të tij ishte kryerja e një sulmi terrorist.
Në intervistën e transmetuar mbrëmë, Kelmendi e ka përmirësuar veten në minutat vijues kur është sfiduar me pyetjen e gazetarit Xhemaj Rexha se Gavriq asnjëherë nuk e ka pranuar se ka pasur qëllim kryerjen e sulmit terrorist.
Gjatë tërë procesit gjyqësor Sllobodan Gavriq kishte mohuar se qëllimi i eksplozivit të tij ishte kryerja e një sulmi terrorist.
Këto pretendime Gaviq i kishte thënë edhe në intervistën për Emisionin Drejtësia në Kosovë të xhiruar në ambientet e Burgut të Gjilanit.
Edhe avokati i Gavriqit, Zhivojin Jokanoviq, në vazhdimësi kishte nënvizuar se Gavriq nuk kishte qëllim sulmin terrorist.
“Ne nuk pretendojmë se ai është i pafajshëm, por edhe tash jam i bindur se elementet e veprës penale për të cilën u dënua nuk qëndrojnë që nuk do të thotë se nuk ka vepër penale, por jo tjetër, por vetëm veprën penale tregti e palejueshme me materie shpërthyese”, tha Jokanoviq.
Megjithë faktin se Gavriq e kishte mohuar se qëllimi i tij ishte kryerja e një sulmi terrorist, gjykata ka vlerësuar se ai ka kryer veprën penale të përgatitjes së sulmit terrorist duke u bazuar në dëshmi të tjera.
Gavriq tashmë është i dënuar me 11 vjet burg me vendim të Gjykatës së Apelit.
http://kallxo.com/pendimi-te-denuarit-per-terrorizem-slobodan-gavriq/
|