schema:text
| - Prokuroria e Ferizajt
Informacioni i rremë për pesë personat që kidnapojnë fëmijë
Deklarata
Kujdes këta njerëz po vjedhin fëmijë dhe i shesin për organe
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Kujdes këta njerëz po vjedhin fëmijë dhe i shesin për organe” është i rremë. Krypometër ka konfirmuar me burime zyrtare nga Policia e Kosovës se personat në fjalë nuk janë të dyshuar për ndonjë vepër të tillë.
Artikulli
Më 15 nëntor 2023, faqja e Facebook-ut Lajme Ferizaj (arkiva), ka publikuar një fotografi në të cilën shihen pesë persona.
Faqja pretendon se këta persona kidnapojnë fëmijë dhe i shesin për organe.
“Kujdes këta njerëz po vjedhin fëmijë dhe i shesin për organe. Tani ata janë në qytetin tonë Zagar. Kujdesuni për fëmijët tuaj dhe mos i lini vetëm jashtë. Shpërndajeni këtë postim që të gjithë prindërit të mund të shohin dhe mbrojnë fëmijët e tyre. ju Lutem shperndajni ne gjdo Grup”- thuhet në përshkrim.
Ky informacion është shpërndarë edhe në faqe tjera në Facebook si Bota Sot e Re (arkiva), Beslidhja Shqiptare Ne Botë (arkiva), Mitrovica 02 (arkiva), Podujeva.info (arkiva), Në Preshevë (arkiva), Shkupi1 (arkiva), Besiana _Podujeva (arkiva), Llapianet (arkiva), Tushkofozë (arkiva), Republika e Kosovës (arkiva), Dobërdoll (arkiva), Gryka e Kaçanikut (arkiva), Briseda Gjelaj (arkiva), Rinia Islame Fushë Kosovë (arkiva), në grupin Ardit Gjebrea Group (arkiva), Islami Ndriçues (arkiva), Balli Kombëtar (arkiva) dhe Ismail Ermuli (arkiva).
Nga faqet që e kanë shpërndarë këtë lajm është vërejtur numri i madh i shpërndarjeve edhe nga profile personale në Facebook.
Pasi informacioni është shpërndarë fillimisht në faqen Lajme Ferizaj, Krypometri ka kontaktuar me Policinë e Kosovës në këtë rajon.
Majori Qazim Reka ka shpjeguar se në Polici nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar të kidnapimit apo tentim të kidnapimit dhe ka shtuar se pas trajtimit të rastit ka rezultuar se lajmi është i rremë.
“Këtu, në rajonin e Ferizajt nuk kemi asnjë rast të raportuar, as kidnapim por as ndonjë tentim të kidnapimit. Pra, është faqe e rreme dhe nuk kemi asnjë informacion. Ne e kemi trajtuar dhe si rast ka dal si i rremë”- ka thënë në një përgjigje zyrtare për Krypometrin Majori Reka.
Gjithashtu, Krypometri ka arritur të gjejë një video-material (arkiva) të publikuar në Tiktok në të cilin shihet e njëjta fotografi me të njejtët personazhe. Materiali është publikuar më 14 nëntor 2023.
|