schema:text
| - Politikani gjerman nuk ka thënë “Albin Kurti politikan shembullor”
Deklarata
Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas: Albin Kurti politikan shembullor
Vlerësimi
Rrenë
Postimi i fotografisë me mbishkrimin “Ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas: Albin Kurti politikan shembullor”, është i rremë. Heiko Maas nuk është ministër i punëve të jashtme që nga viti 2021. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në një përgjigje për Krypometër ka thënë se ish-ministri i punëve të Jasthme Heiko Maas dhe ministrja aktuale e punëve të jashtme Annalena Baerbock “nuk njihen të kenë dhënë deklarime të tilla gjatë kohës së tyre në zyrën e ministrit të jashtëm të Gjermanisë”.
Artikulli
Më 11 janar 2024 profili në rrjetin social Facebook ‘Me Albin Kurtin’ (arkive) postoi një fotografi të ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas më mbishkrim “Albin Kurti politikan shembullor”.
Ky deklarim i është mveshur ish ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.
Edhe pse në postimin e bërë më 11 janar 2024, Heiko Maasit i referohen si ministër i punëve të Jashtme të Gjermanisë, Krypometër ka gjetur se nga data 8/12/2021, ministre e punëve të jashtme është Annalena Baerbock. Maas ka qenë ministër i punëve të jashtme të Gjermanisë deri në vitin 2021.
Krypometër ka kërkuar një përgjigje nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, nëse ish-ministri apo ministri aktual i punëve të jashtme e kanë bërë një deklarim të tillë.
“As zoti Mass e as zonja Baerbock nuk njihen të kenë dhënë deklarime të tilla gjatë kohës së tyre në zyrën e ministrit të jashtëm të Gjermanisë”- ka deklaruar Christian Böttcher nga zyra për komunikim në ambasadën gjermane, në përgjigje për Krypometër dhënë më 24 janar 2024.
Krypometri përmes kërkimeve ka gjetur se postimi i fundit në rrjetin X nga Heiko Maas është bërë më 3 maj 2022. Maas tashmë ushtron profesionin e tij si avokat dhe nuk është aktiv në rrjete sociale. Pra, në profilin e tij zyrtar nuk është bërë asnjë postim në vitin 2024 apo diçka në lidhje me kryeministrin Albin Kurti.
Maas kishte vizituar Kosovën në prill 2021 dhe ishte takuar me liderë shtetëror.
“Nga vizita e Ministrit të Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, z. Heiko Maas.
Testament i raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona”- kishte shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së tij. Derisa, në maj 2021 po ashtu kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Maas me ç’rast fokus diskutimi ishin marrëdhëniet bilateriale mes dy vendeve.
|