schema:text
| - Rrena se forma e kërthizës tregon për sëmundjet tek njerëzit
Deklarata
Shikoni formën e kërthizës suaj për të zbuluar se cilat sëmu.ndje ju kërcë.nojnë
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Shikoni formën e kërthizës suaj për të zbuluar se cilat sëmu.ndje ju kërcë.nojnë – me shumë saktësi” është i rremë. Agim Krasniqi, specialist i Mjekësisë Familjare konfirmon se konstatime të tilla nuk kanë bazë shkencore dhe se deri më tash nuk ka ndërlidhje në mes të formës së kërthizes dhe sëmundjeve, si pretendohet në artikull.
Artikulli
Më 22 qershor 2023 faqja e Facebook-ut “Tema Ditore” publikoi një artikull me titull “Shikoni formën e kërthizës suaj për të zbuluar se cilat sëmu.ndje ju kërcë.nojnë – me shumë saktësi”.
Lajmi i njëjtë është publikuar edhe në faqen e internetit “newzhunt.xyz”.
Informacionet që u publikuan nuk kanë bazë shkencore.
Agim Krasniqi, specialist i Mjekësisë Familjare në Lipjan në një deklarim për KALLXO.com tha se qytetarët nuk duhet të i besojnë lajmeve të tilla.
Sipas tij, lajmi nuk ka asnjë bazë shkencore.
“Këto konstatime janë të pa bazuara në evidencë shkencore dhe si të tilla, deri sa nuk ka evidencë/dëshmi të bazuar në hulumtime shkencore nga të cilat dalin rekomandime dhe pranohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), PubMed, FDA-Amerikane, Revista shkencore mjekësore etj… Si të tilla nuk mund të merren si të mirëqena, sepse ky lajm nuk ka evidencë shkencore të bazuar në fakte” – tha Krasniqi.
Doktori ka edhe një këshillë për të gjithë pacientët dhe lexuesit e lajmeve të tilla.
“Këshilla ime si mjekë specialist i mjekësisë Familjare është: Shëndeti juaj dhe të dashurve tuaj është pasuria më e madhe, prandaj besojuni vetëm profesionistëve shëndetësor, mjekut tuaj familjar” – tha Krasniqi.
Qytetarët këshillohen që sa herë lexojnë lajme mbi shëndetin të konsultohen nga dy e më shumë burime, në rastin më të mirë, të vizitojnë një profesionist shëndetësor në institucion kredibil shëndesor.
“Këto shkrime në rrjete sociale, apo edhe nga ,,Dr.Interneti” nuk ju ofrojnë informacione të sigurta për gjendjen tuaj shëndetësore” – ka thënë Dr. Agim Krasniqi.
Edhe Dr. Besim Buda ka thënë se nuk ka asnjë bazë më të vogël shkencore konstatimet që janë bërë në këtë artikull.
“Jo, ky lajm nuk është i vërtetë, forma e kërthizës nuk tregon llojin e një sëmundjes tek njerëzit. Me qenë kështu, unë nuk i kisha përfunduar specializimet dhe fakultetin e mjekësisë fare e shkencëtarët e tjerë nuk kishin bërë studime shkencore por i kishin shikuar kërthizat dhe kishin konstatu sëmundjet”, ka thënë Buda.
Ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të bazohet në shkrimet e pa-verifikuar që janë të publikuar nëpër portale.
“Të gjithë qytetarët që kanë probleme shëndetësore duhet të u përmbahen këshillave të profesionistëve shëndetësorë, të mjekëve. Mjekësia nuk është aq e lehtë, sepse për me caktuar diagnozën është shumë e vështirë, madje doktorët marrin mendime tek koleget e tyre për të konstatuar sëmundjet”, ka thënë Buda.
|