schema:text
| - Rrena se kanë ndryshuar pagat e infermierëve
Deklarata
Kjo nuk është shaka! Pagat e infermierëve në vitin 2024 do t’ju shokojnë. (shiko pagën)
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me titullin “Kjo nuk është shaka! Pagat e infermierëve në vitin 2024 do t’ju shokojnë. (shiko pagën)”- është i rremë. Ky postim është bërë në faqe në Facebook ‘Alex1’, e cila është hapur më 24.06.2024 dhe e njëjta menaxhohet nga Filipinet dhe Hong Kongu. Qeveria e Kosovës nuk ka marrë vendim për rritje të pagave për infermierë. Rritja e pagave mund të bëhet përmes ndryshimit të Ligjit për Pagat e Sektorit publik apo Ligji për buxhetin e vitit 2024, por asnjëri prej tyre nuk është ndryshuar gjatë 3 muajëve të fundit. Qeveria e Kosovës ka thënë se pagat e infermierëve nuk janë rritur, si pretendohet në këtë postim.
Artikulli
Më 03.08.2024 faqja në Facebook, ‘Alex1’ (arkiva) ka publikuar një infografikë me mbishkrimin “Thirrje të gjithë infermierëve – pagat e infermierëve do të rriten sërish në 2024!”.
Në këtë infografikë shkruan se “Kjo nuk është shaka! Pagat e infermierëve në vitin 2024 do t’iu shokojnë. (shiko pagën)”.
Ky postim është publikuar në faqen në Facebook ‘Alex1’, e cila është hapur më 24.06.2024 dhe e njëjta, sipas të dhënave në Facebook, menaxhohet (arkiva) nga Filipinet dhe Hong Kongu.
Kur klikon tek linku poshtë grafikës të dërgon tek faqja e internetit ‘best-rnnurse01.xyz’ (arkiva), në të cilën nuk ka asnjë informacion si pretendohet në faqen në Facebook, pra për rritje të pagave të infermierëve.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër fillimisht ka kontrolluar vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Në vendimet e Qeverisë së Kosovës që janë marrë në tre muajt e fundit (qershor, korrik dhe gusht 2024), nuk është asnjë vendim që thotë se pagat e infermerëve janë rritur në Kosovë apo që do të rriten gjatë muajit gusht 2024.
Krypometër ka dërguar pyetje edhe në Zyrën për Informim të Ministrisë së Shëndetësisë. Në një përgjigje me shkrim, kjo Ministri ka thënë se informacioni është i rremë.
“Ju informojmë se ky lajm nuk qëndron, pra është një lajm i rremë”- thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.
Qysh mund të rriten pagat e infermierëve?
Pagat në sektorin publik, duke përfshirë punonjësit shëndetësor rregullohen me Ligjin për pagat në sektorin publik’. Ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 22.12.2024, dhe ishte shpallur me dekretin Nr. DL-01/2023, datë 04.01.2023, nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani- Sadriu.
Në këtë ligj është përcaktuar se infermierët kanë koeficientin 5.1.
Në nenin 9 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik është thënë se përcaktimi i vlerës së koeficientit do të bëhet në baza vjetore, përkatësisht në Ligjin për Buxhet.
“Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”- thuhet në paragrafin e parë të nenit të 9 të këtij ligji.
Krypometër ka kontrolluar në Gazetën Zyrtare dhe aty nuk figuron asnjë plotësim- ndryshim i Ligjit të Pagave.
Edhe Ligji i Buxhetit për vitin 2024 që e përcakton lartësinë e koeficientit është ndryshuar në mes të vitit 2024.
Krypometër ka gjetur se më 01.02.2023, Qeveria e Kosovës ka vendosur se vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024, vlera e koeficientit është përcaktuar 110 euro.
Në sistemin shëndetësor paga më e lartë është për drejtorin e SHSKUK-së në vlerë prej 1,470 euro me koeficient 14, ndërkaq paga më e ulët do të jetë për ndihmës infermierë me koeficient 4.5 që në pagë përkthehet në 472.5 euro.
|