schema:text
| - Përfundime të pabazuara për shërim të kapsllëkut dhe pastrim të zorrës së trashë
Deklarata
Mezi shkon në banjë dhe stomaku juaj është i fryrë? Merrni këtë përzierje dhe pastroni stomakun tuaj. Do të pastroni edhe at që keni ngrënë pesë vjet më parë. Nëse keni kapsllëk, do të hiqni edhe çamçakëzin që keni ngrënë kur keni qenë i vogël
Vlerësimi
Me kos
Video dhe mbishkrimi i saj “Mezi shkon në banjë dhe stomaku juaj është i fryrë? Merrni këtë përzierje dhe pastroni stomakun tuaj. Do të pastroni edhe at që keni ngrënë pesë vjet më parë. Nëse keni kapsllëk, do të hiqni edhe çamçakëzin që keni ngrënë kur keni qenë i vogël”- janë të rreme. Në këtë video janë dhënë përfundime që nuk janë të provuara si të tilla. Gastrologu, Arbër Veliu ka thënë se këto përzirje nuk kanë ndonjë veçanti dhe se nuk mund të vijmë në përfundim se ato mund të shërojnë konstipacionin (kapsllëkun), pasi që ka shumë faktorë që e shkaktojnë atë, duke përfshirë tumorët.
Artikulli
Më 10.05.2024 faqja në Facebook, ‘Ina Ina’,(arkiva), ka publikuar një video me anë të së cilës pretendohet se me anë të një recete, largon kapsllëkun.
“Mezi shkon në banjë dhe stomaku juaj është i fryrë? Merrni këtë përzierje dhe pastroni stomakun tuaj. Do të pastroni edhe at që keni ngrënë pesë vjet më parë. Nëse keni kapsllëk, do të hiqni edhe çamçakëzin që keni ngrënë kur keni qenë i vogël”- shkruan në këtë video.
Në artikull rekomandohet që të përgatitet një recetë me ujë, sheqer, kripë dhe lëng limoni.
Ky postim në Facebook ka mbi 1 mijë komente, në të cilat thuhet se do ta provojnë këtë recetë e disa komentues të tjerë thonë se e kanë provuar.
Krypometri për ta verifikuar këtë ka biseduar me gastrologun Arbër Veliu, i cili tha se kjo recetë nuk e pastron stomakun dhe nuk e shëron kapsllëkun.
“Këto përzirje nuk kanë ndonjë veçanti. Nuk mund të vijmë në përfundim kaq shpejt që diçka mund të shërojë konstipacionin (kapsllëkun), pasi që ka shumë faktorë që e shkaktojnë atë. Pa i përfunduar të gjitha vizitat tek mjeku nuk guxon askush të vijë në përfundime të tilla”- tha Veliu.
Ai thotë se pacientët patjetër duhet të vizitojnë mjekun sepse konstipacioni (kapsllëku) mund të shkaktohet edhe si pasojë e ndonjë tumori.
“Kjo mund të jetë edhe si pasojë e ndonjë tumori andaj duhet të bërë vizita tek gastrologu apo mjeku familjar i cili mund të orientojë pacientin tek gastrologu. Por nëse konstatojmë që kapsllëku është i zakonshëm atëherë i rekomandojmë pacientit që të përdorë produkte të cilat mund të ndihmojnë në pastrim të zorrës, siç janë misri, kumbulla, dardha. Ndërsa këto që janë në këtë recetë nuk i rekomandojmë”- tha tutje Veliu.
Ndërsa Fevzi Sylejmani që është drejtor i QMF-së në Mitrovicë si dhe mjek familjar ka thënë se kjo recetë nuk është efektive duke treguar edhe çfarë ushqimesh rekomandon për pacientët me këtë problem.
“Ushqimi me fibra, peme, perime, ushqimet me “lugē” ndihmojnë shumë në punën e zorrëve. Rekomandohet shmangia e ushqimeve të thata, fërgesave, ushqimet me pak fibra, duhani, si dhe përdorimi ekcesiv i alkoolit”- ka thënë Sylejmani për Krypometrin.
|