schema:text
| - Oferta “Para tani, paguani më vonë”- është e rreme
Deklarata
Para tani, paguani më vonë! Kontrolloni shumën! Kredi personale; Jeni në një situatë të vështirë? Askush për të kërkuar ndihmë?
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Para tani, paguani më vonë! Kontrolloni shumën! Kredi personale; Jeni në një situatë të vështirë? Askush për të kërkuar ndihmë?”- është i rremë. Në këtë postim nuk është ofruar asnjë informacion për mënyrën e aplikimit për këtë kredi. Faqja e cila e ka publikuar këtë informacion, menaxhohet prej Ukrainës, ndërsa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka licensuar asnjë institucion me emrin e faqes “Time For Change”. Bazuar në Ligjin për BQK, të drejtë të kreditimit në Kosovë kanë vetëm institucionet e licensuara nga BQK.
Artikulli
Më 10.12.2024, faqja në Facebook Time For Change (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi, nga mosha 18 në 66+, me titull: “Para tani, paguani më vonë! Kontrolloni shumën!”.
Time For Change është një uebfaqe e krijuar më 29.08.2024, menaxherët e së cilës janë të lokalizuar në Ukrainë. Megjithatë, postimin e kanë shkruar në gjuhën shqipe dhe e kanë përdorur edhe flamurin e Kosovës.
Kur klikon mbi këtë postim, linku të dërgon tek uebfaqja cirugia-palpebralhoy-y1.click (arkiva), informacionet e së cilës nuk kanë asgjë të njëjtë me ato të faqes në Facebook Time For Change (arkiva).
Krypometër ka kontrolluar edhe informacione rreth domenit të uebfaqes cirugia-palpebralhoy-y1.click (arkiva), e cila është regjistruar më 02.05.2024, por nuk ka informacione tjera.
Krypometër e ka kontrolluar edhe uebfaqen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përkatësisht listën e institucioneve financiare të licensuara/regjistruara në vend dhe aty nuk figuron asnjë institucion me emrin Time For Change (arkiva).
Krypometër ka kontrolluar publikimet e bëra nga Banka Qendrore e Kosovës dhe ka gjetur Raportin me informacionet për Sistemin financiar, në të cilin thuhet se norma mesatare e interesit për kreditë e lëshuara nga Bankat Komerciale është 6.1%.
Në një përgjigje me shkrim, BQK ka lutur qytetarët që të mos bien pre e këtyre postimeve, të cilat mund të jenë të rrezikshme.
“Publikimet e tilla, sikurse këto të profileve në Facebook, nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licensuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët. Me këtë rast, ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion, për t’i larguar këto njoftime.”- thuhet në përgjigjen e BQK.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës. Për licensim nga BQK, institucioneve u kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
|