schema:text
| - Rrena se një kremë shëron kyçet
Deklarata
NËSE JU KANË THËNË SE ËSHTË E PAMUNDUR TË KURONI SHPINËN DHE KYCET PAS TË 50-TAVE, ATËHERË DUHET TA DINI SE NUK ËSHTË E VËRTETË!
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me tiutll “NËSE JU KANË THËNË SE ËSHTË E PAMUNDUR TË KURONI SHPINËN DHE KYCET PAS TË 50-TAVE, ATËHERË DUHET TA DINI SE NUK ËSHTË E VËRTETË!” është i rremë. Në këtë artikull është cituar Jasir Bardhi, për të cilin thuhet se është “doktor i shkencave mjekësore, themelues i kinesioterapisë moderne (neurologjia dhe ortopedia)”, por nuk ka mjek me emer të tillë që është i licencuar për të punuar si mjek. Ilaçi që promovohet nuk ka Autorizim të Marketingut për shitje në Kosovë, ndërsa specialistët e reumatologjisë thonë se i njëjti nuk është pjesë e protokoleve për trajtim të këtyre sëmundjeve.
Artikulli
Më 08.07.2024 faqja në Facebook ‘Morgan Home Care’ (arkiva) ka publikuar një artikull në të cilin pretendohet se është gjetur ilaçi për dhimbje të kyçeve.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqen e internetit “bino-bs.best” (arkiva) me titull “NËSE JU KANË THËNË SE ËSHTË E PAMUNDUR TË KURONI SHPINËN DHE KYCET PAS TË 50-TAVE, ATËHERË DUHET TA DINI SE NUK ËSHTË E VËRTETË!”.
Artikulli citon Dr. Jasir Bardhi, i cili prezantohet si “doktor i shkencave mjekësore, themelues i kinesioterapisë moderne (neurologjia dhe ortopedia)”.
Krypometër, fillimisht ka kontrolluar listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe aty nuk asnjë mjek me emrin Jasir Bardhi.
Për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë, secili profesionist shëndetësor duhet të licencohet nga Oda e Mjekëve të Kosovës, pasi neni 8 i ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor thotë se anëtarësimi në këtë Odë është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë… të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Lista e gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Krypometri ka kontrolluar listën e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, por as atje nuk figuron ndonjë doktor me emër Jasir Bardhi.
Dr. Bardhi është i ilustruar edhe me një fotografi të cilën Krypometri e ka verifikuar përmes kërkimit të fotografive në ‘Bing’ dhe rezulton se kjo fotografi përdoret për ilustrimin e profesionit të doktorit, e cila është shfrtëzuar edhe nga disa media për ilustrim në artikujt e tyre.
Në këtë shkrim promovohet një produkt i quajtur ‘Bone Control’.
Krypometër ka kërkuar te lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë, pasi Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për produkte dhe pajisje medicinale në Kosovë rezulton se produkti ‘Bone Control’ nuk është në listën e barërave me autorizim marketingu.
Reumatologu, Besim Demolli, ka thënë për Krypometër se Osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme.
“Trajtimi për këto sëmundje fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Kjo përfshin terapinë fizike për përmirësimin e forcës dhe fleksibilitetit, modifikimet në stilin e jetës, për menaxhimin e peshës dhe reduktimin e barrës në nyje, medikamentet për lehtësimin e dhimbjes dhe inflamacionit, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale në raste të rënda”- ka thënë ai.
Demolli ka thënë se është e rëndësishme të shmangen suplementet e paprovuara dhe të panevojshme dhe që nuk janë të parapara me protokole.
“Suplementet, veçanërisht ato të reklamuara si kurative ose si zgjidhje mrekullibërëse, shpesh mund të jenë objekt i marketingut të tepruar dhe mund të japin premtime të pasigurta. Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit”- tha tutje reumatologu Demolli për Krypometër.
|