schema:text
| - Bedri Hamza nuk ka thënë se do t’i ndalojë shtesat për fëmijë
Deklarata
Votone BEDRI HAMZËN por shtesa skeni me pas ma se jau ndal ,#arsyja është kosoto e madhe e shtetit.#…
Vlerësimi
Me kos
Mbishkrimi i videos “Votone BEDRI HAMZËN por shtesa skeni me pas ma se jau ndal ,#arsyja është kosoto e madhe e shtetit.#…”- është i rremë. Video nuk është aktuale dhe është nga viti 2019, kur Bedri Hamza nuk ishte kandidat për Kryeministër të Kosovës. Hamza është tash kandidat për Kryeministër të Kosovës dhe i njëjti nuk ka deklaruar se do t’i ndalë shtesat për fëmijë, politikë e nisur nga Qeveria Kurti. Albatrit Matoshi nga PDK ka deklaruar se Hamza parasheh rritje të shumës aktuale që shkon për shtesa për fëmijë.
Artikulli
Më 13.01.2025, llogaria në Facebook (arkiva dhe arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Në material është vendosur mbishkrimi “Bedri Hamza thot i ndali shtesat sepse janë kosto e madhe e shteti…”
“Votone BEDRI HAMZËN por shtesa skeni me pas ma se jau ndal ,#arsyja është kosoto e madhe e shtetit.#…”- thuhet në postim.
Krypometër ka kërkuar fillimisht në internet (1 dhe 2), nëse Bedri Hamza ka thënë diçka të tillë, por nuk është gjetur ndonjë deklaratë e ngjashme prej se është kandidat për Kryeministër të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Më tej, Krypometër ka kërkuar videon origjinale të Bedri Hamzës gjatë një paraqitje të tij përballë analistëve në Debat Plus të RTV Dukagjini, e cila ishte realizuar më 09.03.2020, pak para fillimit të pandemisë.
“Vendi ka shumë nevoja, krejt pajtohemi. Ka shumë prioritete, por ja një top prioritetesh në këtë aspekt: ruajtja e qëndrushmërisë së stabilitetit makrofiskal, që vendi mos me ardhë në situatë mos me pasë likuiditet, që vendi mos me ardhë në situatë që me rritë borxhin publik në mënyrë të pakontrolluar dhe që vendi mos me ardhë në një situatë me pasë ngarkesa të mëdha me taksa dhe me tatime. Po e marrim, shtesat e fëmijëve, çfarë kosto kanë? Zbatimi i reformës së Administratës publike, rreth 100 milionë shtesë në raport me vitin 2019. Nuk po them që nuk duhet, por po them a janë mundësitë?”- kishte deklaruar Hamza në këtë debat, kur ishte pyetur në lidhje me politikat sociale të Qeverisë Kurti 1 (min 01:16:00.).
Pra, në këtë debat, kur Hamza nuk ishte kandidat për Kryeministër, nuk ishte shprehur se është kundër apo se do t’i ndalojë shtesat për fëmijë, por kishte shprehur pikëpyetje ndaj Qeverisë, se nëse Kosova ka mundësi që t’i ofrojë ato.
Më pas, Krypometër ka kontaktuar me Zyrën për Media në PDK, për të sqaruar nëse Hamza ka paralajmëruar se nëse i fiton Zgjedhjet do t’i ndalojë shtesat për fëmijë.
Albatrit Matoshi ka deklaruar se PDK nuk e ka në planin e saj ndalesën e shtesave për fëmijë, duke shtuar se Programi i Hamzës parasheh rritje të shumës aktuale.
“Kjo deklaratë është e vitit 2020. Së dyti, PDK nuk e ka në planin e saj ndalesën e shtesave për fëmijë. Përkundrazi, Programi i Bedri Hamzës parasheh rritje të shumës aktuale, krahas rritjes për 50% të pagave dhe pensioneve në sektorin publik. Si dhe, subvencionimin e familjeve që dërgojnë fëmijët në çerdhe private.”- ka deklaruar Matoshi në përgjigje për Krypometër.
Ky material me pretendimin se Hamza do të ndalojë shtesat për fëmijë, po qarkullon në kohën e fushatës zgjedhore. Më 27.03.2024, Partia Demokratike e Kosovës e ka prezantuar si kandidat për Kryeministër, Bedri Hamzën. Aktualisht, Hamza është Kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Ai ka mbajtur në të kaluarën poste të larta shtetërore, si Deputet, Ministër e Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Me vendim të presidentes Vjosa Osmani, Zgjedhjet parlamentare janë caktuar të mbahen më 09.02.2025, proces ky i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Shtesat për fëmijë
Më 25.08.2021, Qeveria e cila drejtohet nga Albin Kurti mori vendim që secili fëmijë nën moshën 2-vjeçare të përfitojë nga 20 euro në muaj, ndërsa fëmijët e moshës 2 deri në 16 vjeç kanë përfituar shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj. Nga 18.07.2024, nënat me një ose dy fëmijë do të marrin nga 20 euro në muaj për secilin fëmijë, ndërsa nënat me tre fëmijë e më shumë do të marrin nga 30 euro në muaj për secilin fëmijë.
Ndërkaq, më 22.12.2024, Qeveria e Kosovës vendosi që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nga 0 deri në 16 vjet, si dhe për të gjithë pensionistët e kualifikuar.
“Pra, të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës 0 deri në 16 vjet dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë do t’i përfitoni nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është një investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim.”- tha Kurti para gazetarëve.
Ndaj këtij vendimi kishin reaguar partitë opozitare, duke e quajtur këtë ndihmë si “lëmoshë” dhe “për fushatë zgjedhore”.
|