schema:text
| - Rrena se vetëm LDK-ja nuk ka votuar për marrjen e kredisë
Deklarata
Nuk kalon ne kuvend marreveshja nderkombtare e cila i siguron kosoves 40 milion euro. LDK nuk e voton!
Vlerësimi
Me kos
Postimi “Nuk kalon ne kuvend marreveshja nderkombtare e cila i siguron kosoves 40 milion euro. LDK nuk e voton!” nuk e pasqyrton të vërtetën e plotë sa i përket votimit të marrëveshjes ndërkombëtare. LDK-ja i ka vetëm 16 deputetë, të cilët nuk kanë qenë fare në seancën në të cilën ishte paraparë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Përveç deputetëve të LDK-së, janë edhe 104 deputetë të tjerë, ndërsa për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhen 80 vota të deputetëve. Pra, miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare mund të bëhet edhe pa votat e deputetëve të LDK-së.
Artikulli
Më 22 shkurt 2023 në faqen e Facebook-ut, ‘Diaspora me Albinin’, është publikuar një informacion lidhur me mos votimin e marrëveshjes për marrjen e kredisë nga Banka Botërore për financimin e pagesave sociale në Kosovë.
Në përshkimin e kësaj faqe thuhet: “nuk kalon ne kuvend marreveshja nderkombtare e cila i siguron kosoves 40 milion euro. LDK nuk e voton!”
Ky informacion nuk është i saktë. Në ditën kur është shpërndarë ky informacion, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për të hedhur në votim marrëveshjen për marrjen e kredisë.
KALLXO.com ka raportuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se nuk do të votojë pro një marrëveshjeje që parasheh pagesat e skemave sociale.
Ndërsa, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votimin e kësaj pike të rendit të ditës me arsyetimin se do të presin deri sa t’i sigurojnë 80 vota.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se do ta votojnë këtë marrëveshje.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vetëm 16 deputetë nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. Për votimin e një marrëveshje ndërkombëtare duhen votat e 80 deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 58 deputetë, PDK-ja i ka 18 deputetë dhe AAK-ja i ka 8 deputetë.
Pra, nëse i marrim vetëm deputetët e tri partive që janë deklaruar për, i bie që janë 84 deputetë. Përveç kësaj, janë edhe 11 deputetë të tjerë joshqiptarë, disa prej të cilëve janë në koalicion qeverisës me Vetëvendosjen. Ndërsa, janë edhe 9 deputetë të partisë “Lista Serbe”.
|