Postimi i rremë në emër të Aurona Pelaj
Deklarata
Pershendetje Quhem Aurona Pelaj Me Ësht Lejuar Nga Policia Ta Bëj Këtë Shkrim Dhe TË Kërkoj Falje publikisht
Vlerësimi
Rrenë
Postimi i bërë nga Facebook faqje me emër të Aurona Pelaj, të dyshuarës kryesore për rastin e dhunës ndaj të moshuarës në qendër të kujdesit për persona të moshuar në Pejë, është i rremë. Policia e Kosovës ka thënë se personave që janë në paraburgim nuk i japin leje për të bërë postime në Facebook. E dyshuara është në paraburgim dhe tashmë është në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Artikulli
Me 3 nëntor 2022, një profil në Facebook me emër Aurona Pelaj ka bërë një postim rreth rastit të dhunës ndaj të moshuarës në një qendër të kujdesit në Pejë.
“Pershendetje Quhem Aurona Pelaj Me Ësht Lejuar Nga Policia Ta Bëj Këtë Shkrim Dhe TË Kërkoj Falje publikisht Per Atë Gjestin e Shemtuar Qe E Kam Bër Dje Çdo njeri gabon Zyrtarisht i Kerkoj Falje Familjes Dhe Te Gjith Shqipëtarëve An e Mban Botës 😭😭”- thuhet në postimin e bërë në Facebook, i cili ka marrë rreth 160 reagime, mbi 260 komente dhe 5 shpërndarje.
KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të mësuar vertetësinë e këtij postimi.
Policia e Kosovës ka thënë se personave që janë në paraburgim nuk i japin leje për të bërë postime në Facebook.
“Jo, Policia nuk ka lëshu kësi leje”– ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai tutje tregoi se e dyshuara është në paraburgim dhe tashmë është në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Ky profil me emër të Aurona Pelaj në Facebook ka gjithsej 4 mijë e 298 shokë dhe 275 ndjekës, ndërsa me rastin e hapjes nuk e ka pas emrin e saj. Profili ka qenë në emër të Anita Sylës.