schema:text
| - Tentimi për shitjen e barnave kundër parazitëve përmes mashtrimit
Deklarata
Kjo recetë largon shpejt parazitët, thahen papillomat, përmirësohet gjendja e trupit. Mësoni si të zvogëloni rrezikun e kancerit të lëkurës
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Artikulli me titull “Kjo recetë largon shpejt parazitët, thahen papillomat, përmirësohet gjendja e trupit. Mësoni si të zvogëloni rrezikun e kancerit të lëkurës” është i rremë. Në artikull është përdorë një mjek fiktiv për të promovuar barin kundër parazitëve. Oda e Mjekëve kanë thënë se nuk ka mjekë të licencuar me të njëjtin emër në Kosovë. Fotografia e përdorur në artikull nuk është nga Kosova, por është përdorë në artikuj në gjuhën romune. Bari që promovohet për tu shitur nuk ka cërtifikatë të marketingut nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Artikulli
Më 7 qershor 2023 faqja në Facebook “Sky Digital Agency” ka shpërndarë një artikull me përshkrimin “Kjo recetë largon shpejt parazitët, thahen papillomat, përmirësohet gjendja e trupit. Mësoni si të zvogëloni rrezikun e kancerit të lëkurës”.
Artikulli flet për një produkt të cilin e reklamon si ilaç natyral, për të cilin pretendon se shkatërron dhe eliminon çdo parazit në trup. Përveç kësaj, në artikull thuhet se nuk ka një produkt tjetër që mund të ketë efektin e njëjtë.
Këto fjali janë citate të një personi me emrin Sara Karaj, për të cilën thuhet se është Profesoreshë e Asocuar në Institutin e Kërkimeve Shkencore te Germostopologjisë Mjekësore dhe Mjekësisë Tropikale.
Një institut i tillë nuk ekziston në Kosovë.
Krypometri ka kontaktuar me Odën e Mjekëve të Kosovës, të cilët në bazë të rregullorës së Komisionit për Regjistrim, Licencim dhe Rilicencim të Mjekëve në OMK bëjnë licencimin e mjekëve në Kosovë. Licencimi apo Rilicencimi i mjekëve është i detyrueshëm për të gjithë mjekët të cilët duan ta ushtrojnë veprimtarinë mjekësore sipas autorizimeve ligjore në Kosovë.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë thënë se nuk ka mjek që është i licencuar në Kosovë me emrin Shpresa Karaj.
Edhe fotografia e publikuar, kinse është Shpresa Karaj, me një kërkim të thjeshtë në internet del se është fotografi e publikuar fillimisht nga një faqe, e cila e ka përmbajtjen e njëjtë sikurse ky artikull, por në gjuhën rumune dhe që reklamon një produkt tjetër.
Faqja e internetit në të cilën është publikuar artikulli duket si portal, por nuk është e tillë. Secila rubrikë që klikohet në këtë faqe të dërgon tek opsioni për luajtur një lojë pas të cilës të ofrohet 50% zbritje në produktin që tentojnë ta shesin. Teksti nuk tregon se çfarë përbërje ka ky produkt.
KALLXO.com ka dërguar fotografinë e produktit në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale për të pyetur nëse lejohet shitja e këtij produkti në Kosovë.
Agjencia në një përgjigje me shkrim për Krypometrint kanë thënë se “ky produkt nuk ka autorizim marketingu për shitje në Kosovë”.
|