schema:text
| - Pretendimi i rremë se zorra e trashë duhet pastruar dy herë në vit
Deklarata
Fitset eshte i duhuri pasi pastron, sheron rigjeneron trupin tuaj natyralisht, pa asnje efekt anesore
Vlerësimi
Me kos
Mbishkrimi në video “Fitset eshte i duhuri pasi pastron, sheron rigjeneron trupin tuaj natyralisht, pa asnje efekt anesore”- është i rremë. Pretendimet e bëra në këtë postim nuk janë të bazuara në shkencë dhe janë të paverifikuara. Gastrologu Arbër Veliu ka thënë se shkenca e mjekësisë nuk e njeh ‘pastrimin e zorrëve’, pasi zorra pastrohet vetvetiu. Pacientët që kanë probleme me kapësllëkun (konstipacion) rekomandohet që në konsulltim me mjekun të përdorin medikamente dhe fibra.
Artikulli
Më 19.05.2024 faqja në rrjetin social Threads, ‘sankahoti’ (arkiva) ka publikuar një video me titull: Si me e pastru zorren e trashe?!
“Fitset eshte i duhuri pasi pastron, sheron rigjeneron trupin tuaj natyralisht, pa asnje efekt anesore”- shkruan ndër tjerash në këtë video të publikuar.
Aty shkruan gjithashtu se “zorra e trashë mund ti ketë 20 kg toksina dhe se duhet pastruar dy herë në vit”.
Nuk janë dhënë sqarime për produktin dhe prodhuesin e tij, por thuhet se janë dy produkte që vijnë në formë të pluhurit dhe të njëjtat duhet të tretën në ujë.
Krypometër ka kontrolluar listën (shkarko këtu) e produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës dhe aty nuk figuron produkti “Fitset”, i cili është promovuar përmes këtij shkrimi.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale cakton se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
A ka nevojë zorra e trashë të pastrohet dy herë në vit?
Krypometri ka pyetur gastrologun Arbër Veliu, i cili ka thënë se shkenca e mjekësisë nuk e njehë “pastrimin e zorrëve”.
“Jo, këto janë ide të rrjeteve sociale që dojnë me i shitë produktet. Askund në mjekësi nuk shkruan se zorra duhet pastruar. Zorra nuk pastrohet, nuk kam dëgju deri tash qe 20 vjet që marr pjesë nëpër konferenca të ndryshme, kurrë se kam dëgju. Sa ma natyral që del jashtë, dmth pastrohet; sa më vështirë del është kapsllëk dhe vetëvetiu jep siklet, e tash po thojnë toksina”- ka thënë Veliu.
Ai ka thënë se zorra vetëpastrohet.
“Zorra pastrohet vetvetiu, pra në mënyrën e vet. Pra, s’duhet kurrë të pastrohet. Në momentin që nuk del jashtë me rregull, ne themi ka konstipacion dhe pastaj i rekomandojmë medikamente dhe fibra për me dalë jashtë”- ka thënë ai.
Ndër tjerash ai shtoi se këto lajme të rrejshme po bëhen vetëm sa për të krijuar panik tek njerëzit.
“Tash po thonë toksina, thu ti se kushedi çka ka në zorrë. Po tash këto rrjetet sociale po e bëjnë të vetën. Këtë produktin në video që 100 vjet e përdorin njerëzit, me qenë për të s’kish pas askush probleme”- tha Veliu për Krypometër.
|