schema:text
| - Ripublikimi i lajmit të vjetër për zjarrin në një ndërtesë në Kinë
Deklarata
Tragjike/ Përfshihet nga flakët kompleksi i apartamenteve, 15 të vdekur dhe 44 të plagosur (VIDEO)
Vlerësimi
Me kos
Lajmi me titull “Tragjike/ Përfshihet nga flakët kompleksi i apartamenteve, 15 të vdekur dhe 44 të plagosur (VIDEO)” ishte i rremë në ditën e publikimit, më 07.06.2024. Zjarri që kaploi një objekt dhe la të vdekur 15 persona ka ndodhur në Kinë, më 23.02.2024. I njëjti lajm është publikuar të paktën 4 herë që nga muaji mars 2024 dhe në asnjë prej këtyre postimeve nuk është sqaruar se ngjarja ka ndodhur në muajin shkurt 2024.
Artikulli
Më 07.06.2024 faqja e Facebook-ut ‘Te Rejat’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Tragjike/ Përfshihet nga flakët kompleksi i apartamenteve, 15 të vdekur dhe 44 të plagosur (VIDEO)”.
E njëjta faqe e ka publikuar të njëjtin artikull edhe disa herë të tjera, si: 01.07.2024 (arkiva), 03.04.2024 (arkiva) dhe 09.03.2024 (arkiva).
Në këtë postim nuk është treguar vendi se ku ka ndodhur kjo fatkeqësi.
Krypometër ka kërkuar në internet nëse është raportuar për 15 persona të vdekur si pasojë e një zjarri gjatë muajit korrik të vitit 2024, mirëpo nuk është hasur asnjë lajm i tillë (shih këtu).
Krypometër ka kontrolluar postimet e bëra nga Policia e Kosovës, Policia e Shtetit (Shqipërisë) si dhe Policia e Maqedonisë së Veriut, por në asnjërën prej këtyre faqeve nuk është raportuar për një zjarr si pasojë e të citin kanë vdekur 15 persona.
Kur klikohet linku i lajmit në fjalë, hapet faqja e internetit ‘info.feednews5.com’, në të cilin thuhet se lajmi është publikuar më 07.03.2024.
Në përmbajtje flitet për një zjarr që ka ndodhur në Nanjing të Kinës dhe për pasojë kanë vdekur 15 persona dhe 44 të tjerë janë lënduar.
Ndërkaq, pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur se ngjarja ka ndodhur më 23.02.2024.
The Guardian raportoi se zjarri kishte shpërthyer herët në mëngjes (23.02.2024), teksa autoritetet kishin bërë të ditur se sipas një hetimi paraprak dyshohej se zjarri filloi në katin e parë të ndërtesës.
Ndërtesa ndodhet në rrethin Yuhuatai të Nanjing, një qytet me më shumë se 8 milionë banorë, rreth 260 km në veri-perëndim të Shangait.
Sipas raportimit të the Guardian, Kina ishte ballafaquar me një varg zjarresh vdekjeprurëse gjatë atyre muajve. Në janar 2024 dhjetëra kishin vdekur pasi një zjarr shpërtheu në një dyqan në qytetin qendror të Xinyu, me agjencinë shtetërore të lajmeve Xinhua që raportoi se zjarri ishte shkaktuar nga përdorimi i zjarrit nga punëtorët në bodrumin e dyqanit.
Zjarri kishte ardhur vetëm disa ditë pas një zjarri tjetër që kishte shpërthyer vonë në mbrëmje në një shkollë në provincën Henan të Kinës qendrore si pasojë e të cilit 13 nxënës vdiqën, teksa flinin në konvikt.
|