schema:text
| - Pretendime të pabazuara se disa pika shërojnë prostatën
Deklarata
Thuaj mjaftë probl.emve me Prostatë , Potencë , Infe.ksione, shërim i shpejtë 100 % natyral”- është i rremë. Në këtë postim promovohet një produkt me emrin “Pika shëruese për Prostatë Potencë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Thuaj mjaftë probl.emve me Prostatë , Potencë , Infe.ksione, shërim i shpejtë 100 % natyral”- është i rremë. Në këtë postim promovohet një produkt me emrin “Pika shëruese për Prostatë Potencë”, e cila është pjesë e Listës së Produkteve Medicinale me Autorizim të Marketingut që lëshohet nga Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM). Urologu Rinor Derivishi ka thënë se prostata nëse është e infektuar, por jo e rritur, mund të trajtohet me barna. Në momentin që rritet dhe bën pengesa në urinim, Dervishi thot se shërimi i vetëm mbetet intervenimi kirurgjik.
Artikulli
Më 20.11.2024, faqja në Facebook Pika shëruese për Prostatë Potencë (arkiva) ka reklamuar një produkt për shërimin e prostatës.
“Thuaj mjaftë probl.emve me Prostatë , Potencë , Infe.ksione, shërim i shpejtë 100 % natyral.”- thuhet në këtë postim.
Në postim nuk është treguar emri i prodhuesit të këtij ilaçi, por është prezantuar vetëm si “Pika shëruese për Prostatë Potencë”, për të cilat thuhet se arrijnë të shërojnë plotësisht sëmundjet që prekin prostatën.
“Shëron Prostatën plotësisht, Lehtëson Urin.imin, Largon vështirësit në uri.nim, Largon totalisht infek.sionet, Parandalon dhe lufton, infek.sionet e prostatës, Pastron kanalet ur.inare, Ndalon te gjitha dhim.bjet qe keni, Ju shton forcën e vogël qe keni gjatë nxjerrjes së uri.nës, Largon rrjedhjen pasi të keni përfunduar uri.nimin, Largon urin.imin e shpeshtë, sidomos natën, Largon gjak. un ose qelbin në uri.në poashtu dhe dje. Gien, Zvoglon prostaten deri në 90 % qysh ne fillim te parë të terapis”- thuhet tutje në postim.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës, vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM (Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë)”.
Krypometër ka kërkuar në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë, mirëpo produkti “Pika shëruese për Prostatë Potencë” nuk është në listën e barërave me Autorizim Marketingu.
Krypometër ka kontaktuar me urologun Rinor Derivishi, i cili ka thënë se pacientët trajtohen në bazë të protokolleve, të cilat janë të bazuara në udhëzimet e fundit nga institucionet shëndetësore.
Ai ka thënë se kur prostata mund të trajtohet me barna apo operacion, në vartësi të gjendjes së saj.
“Prostata nëse është e infektuar, por jo e rritur, mund të trajtohet me barna. Në momentin që rritet dhe bën pengesa në urinim, shërimi i vetëm mbetet intervenimi ku kanë disa metoda: prej më pak invazive në ato me operacion të hapur.”- ka thënë urologu Rinor Dervishi.
Krypometër ka kontaktuar edhe me urologun Avni Fetahu, i cili ka thënë se trajtimi i sëmundjes së prostatës bëhet bazuar në protokollet shëndetësore, të cilat parashohin edhe barnat e aprovuara e që janë në shitje nëpër barnatore.
Sipas Fetahut ilaçet që i përshkruajnë për sëmundjet e prostatës janë të licensuara dhe kanë Autorizim të Marketingut nga Agjensioni Kosovar për Produkte Pajisje Medicinale (AKPPM), si parashihet në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Krypometër ka kontaktuar me seksologun, Hajrullah Fejza për të marrë një qëndrim lidhur me këtë lajm.
I njëjti ka thënë për Krypometër se ka shumë ilaçe të promovuara për rritje të potencës, por që nuk kanë ndonjë bazë shkencore.
“Asnjë produkt farmaceutik që nuk është i lejuar për përdorim nga EMA ose FDA nuk është i sigurt për përdorim. Ka shumë suplemente dhe të ashtuquajtura ilaçe natyrore që ndoshta mund të ndihmojnë, por nuk kanë evidencë të bazuar shkencore. Mund të kenë efekte të ndryshme, e shpeshherë edhe negative. Unë si profesionist shëndetësor nuk përshkruaj kurrfarë ilaçesh të cilat nuk janë të aprovuara.”- ka thënë Fejza për Krypometër.
|