schema:text
| - Keqpërdorimi i logos së televizionit Top Channel për të shpërndarë rrena për shërimin e diabetit
Deklarata
“Njerëzit me diabet nuk duhet të marrin metforminë”
Vlerësimi
Rrenë
Video me mbishkrimin “Njerëzit me diabet nuk duhet të marrin metforminë”- ka përmbajtje të rreme. Në këtë video një fizikan rrejshëm pretendon se është duke folur për diabetin në televizionin e Shqipërisë, Top Channel. Fizikani në videon reale, që nuk e ka dhënë për Top Channel, nuk flet për diabetin. Nga Top Channel i kanë thënë Krypometrit se ata nuk e kanë publikuar një video të tillë, mirëpo dikush ia ka keqpërdorur logon e tyre. Endokrinologu Amir Rexhepi thot se diabeti është sëmundje kronike që kërkon trajtim të kujdesshëm dhe të personalizuar.
Artikulli
Më 17.02.2025, faqja në Facebook Gary English (arkiva & arkiva & arkiva) ka publikuar një video me anë të së cilës pretendohet se është gjetur një kurë për diabetin.
“Njerëzit me diabet nuk duhet të marrin metforminë”- shkruan mbi videon e publikuar.
Tutje, në videon që prezantohet si intervistë e dhënë për televizonin Top Channel, pretendohet se është duke folur një doktor i cili thot se diabeti mund të shërohet.
“Ky truk natyral para gjumit është aq i fshehtë, saqë industria e trajtimit të diabetit prej 30 miliardë dollarësh po eksploron ndalimin e kësaj videoje në internet, pasi i gjithë biznesi i tyre i varësisë në nivelet e ushqimit e sheqerit të mos stabilizohen kurrë… Ky ritual prej 10 sekondash eliminon shkakun kryesor të diabetit të Tipit 2, kështu që përderisa nivelet e juaja të sheqerit të stabilizohen, ato do të mbeten të tilla. Unë ju sugjeroj të ndaloni të bëni çkado që jeni duke bërë dhe të klikoni mbi learn more për të parë një video…”- pretendohet se po e thot një doktor.
Ndonëse flitet gjatë 3- 4 minutave për një “ritual”, i cili do të zhdukte diabetin, nuk ka informacione të tjera rreth tij.
Për ta verifikuar këtë pohim, Krypometër ka kontrolluar fillimisht fotografinë e mjekut i cili pretendohet se është duke folur në këtë video. Përmes Google Lens, Krypometër ka gjetur se personi i cili pretendohet se flet shqip për diabetin është fizikani Hugo H. Davila dhe në videon reale ai nuk flet për diabetin.
Në këtë video shihet edhe logoja e televizionit të Shqipërisë Top Channel.
Krypometër ka kontrolluar fillimisht në portalin e televizionit nëse ekziston ndonjë video e tillë, megjithatë nuk ka gjetur diçka të ngjashme.
Për këtë Krypometër ka kontaktuar edhe me drejtorin e informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, i cili ka thënë se ky lajm nuk është publikuar nga ky medium.
“Sigurisht që është shfrytëzuar logoja e Top Channel, sepse ne nuk bëjmë lajme të tilla. Është fake.”- ka thënë ai.
Si trajtohet diabeti?
Bardhyl Gashi, i cili është endokrinolog në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK, ka thënë se pacientët duhet të përdorin ilaçe vetëm me rekomandim të ekspertëve shëndetësor.
“Ne gjithmonë i këshillojmë pacientët dhe u rekomandojmë atyre që kurrë të mos blejnë barna pa përshkrimin tonë, pa përshkrimin e mjekëve. Është e vërtetë që në internet po shesin lloj- lloj suplementesh, ilaçesh… Kështu që, unë ju kisha thënë që kurrë të mos t’i blejnë ato pa këshillën e mjekut. Gjithçka ndodh në treg.”- ka thënë Gashi.
Sëmundja e diabetit është në mesin e sëmundjeve komplekse, prandaj sipas Gashit, trajtimi duhet të kryhet vetëm në mbikëqyrjen e mjekut e këshillave të tij për menaxhim të simptomave.
Krypometër ka biseduar edhe me endokrinologun Amir Rexhepi, i cili thot se diabeti është sëmundje kronike dhe se si e tillë kërkon trajtim të kujdesshëm e të personalizuar.
“Është e rëndësishme të theksoj që diabeti duke qenë një sëmundje kronike dhe komplekse kërkon trajtim të kujdesshëm dhe të personalizuar. Trajtimi i diabetit bazohet në disa shtylla kryesore: një dietë e shëndetshme dhe e balancuar, aktiviteti fizik i rregullt, përdorimi i terapisë me tableta dhe në rastet kur është e nevojshme: trajtimi me insulinë.”- ka thënë Rexhepi për Krypometër.
|