schema:text
| - Fotografia e rreme për deklaratën e Kurtit
Deklarata
Ne jemi 20 milionë shqiptarë, çdo agresion ndaj nesh, është disfatë totale për Serbinë
Vlerësimi
Rrenë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, asnjëherë nuk ka deklaruar: “ne jemi 20 milionë shqiptarë, çdo agresion ndaj nesh, është disfatë totale për Serbinë”. Kjo deklaratë është bërë nga kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, parti që nuk është parlamentare dhe nuk ka arritur asnjëherë të marrë 1% të votave. Postimi është i rremë.
Artikulli
Më 15 nëntor 2022, faqja “Populli Shqiptar” ka shpërndarë në Facebook një artikull me titullin: “Kurti: Ne jemi 20 milionë shqiptarë, çdo agresion ndaj nesh, është disfatë totale për Serbinë”.
Ky artikull është ilustruar me një fotografi në të cilën shihen disa automjete ushtarake si dhe në të është vendosur edhe fotografia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Por, në artikull nuk është cituar kryeministri Albin Kurti, pasi i njëjti asnjëherë nuk e ka thënë një deklaratë të tillë. Në artikullin e publikuar më 15 nëntor 20222 është cituar kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, parti që nuk është parlamentare dhe nuk ka arritur asnjëherë të marrë 1% të votave.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqet e internetit “botasot.info”, “tetovasot.com” më 8 shtator 2021, duke u ilustruar vetëm me një fotografi të automjeteve ushtarake. Pra, edhe opinioni i dhënë nga Faton Kurti është i vjetër dhe nuk ka të bëjë fare me tensionet e ngritura pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
|