schema:text
| - Mytaher Haskuka. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Huqja e Haskukës për drejtorin e dënuar
Deklarata
Mytaher Haskuka- “Gabim e keni për aktakuzën[ për Skender Susurin]. Detajet nuk i di por ka qenë për konkurse para qeverisjes edhe nuk lidhet me këtë”
Vlerësimi
Rrenë
Në fakt, ish-Drejtori i Arsimit në Prizren, Skender Susuri ka qenë i akuzuar dhe dënuar pikërisht për çështje brenda mandatit të tij si Drejtor i Arsimit nën udhëheqjen e Mytaher Haskukës.
Artikulli
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i ftuar në serinë e debateve komunale “Jeta në Komunë” nuk ka pasur informacione se ish- Drejtori i Arsimit, Skender Susuri ka qenë i dënuar për veprën penale – cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë gjatë mandatit të Haskukës.
Haskuka në debat ka thënë se refuzon të bisedojë për çështje personale të personave dhe veprave që nuk i kanë kryer në mandatin e tij.
“Gabim e keni për aktakuzën. Detajet nuk i di por ka qenë për konkurse para qeverisjes edhe nuk lidhet me këtë. Ai është shërbyes civil, e ka paguar gjobën dhe është kthyer. Nuk e di për çka ka qenë dënimi, duhet ta ftoni atë këtu dhe bisedoni më atë. Refuzoj me diskutu çështjen private të një personi para qeverisjes time. Kush ka qenë në qeverisjen time, i kanë hy historisë së tyre 20 vjeçare për hetim”, ka thënë Haskuka.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Skender Susuri më 19 prill 2019 kishte nënshkruar kontratën e punës për një mësimdhënëse, duke i mundësuar asaj që të punojë në shkollën e një fshati të Prizrenit.
Tutje, aktakuza thotë se Susuri në cilësi të Drejtorit të Arsimit ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës, pasi që në përputhje me këtë ligj ai është dashur të shpallte konkurs publik, me ç’rast ka dëmtuar personat e tjerë që kanë qenë të interesuar për një vend të tillë të punës.
Ish-drejtori është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me gjobë në shumën 300 euro, pasi i njëjti qysh në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar veprën penale për të cilën akuzohej.
Susuri, i cili ka dhënë dorëheqje nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë tashmë po e jep kontributin e tij si koordinator dhe mbikëqyrës i projekteve pikërisht në këtë drejtori.
|