schema:text
| - Pretendimi se Talat Xhaferi përkrahë qëndrimin e Vuçiqit për Kosovën
Deklarata
Kosovo i metohia than 🤨🤨 rrnoft Talat Xhaferri
Vlerësimi
Me kos
Video me mbishkrimin ‘Kosovo i metohia than 🤨🤨 rrnoft Talat Xhaferri’ është e manipuluar. Në këtë video është vendosur një fotografi e publikuar nga kryeminsitri i Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi dhe aty nuk mbanë fjalim Aleksandër Vuçiq. Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, nuk e ka përkrahur qëndrimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Maqedonia e Veriut e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në vitin 2010.
Artikulli
Më 29 shkurt 2024, faqja në Facebook ‘Busulla Politike’ (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me mbishkrimin: ‘Kosovo i metohia than 🤨🤨 rrnoft Talat Xhaferri’.
Në këtë video dëgjohet presidenti serb Aleksandër Vuçiq duke thënë “Unë përsëris çdo herë dhe dëshiroj ta përsëris edhe para jush, Kosova është pjesë e Serbisë, e shkruar në Kushtetutën e Republikës së Serbisë. Ka qenë dhe do të jetë”.Ky fjalim i Vuçiqit është publikuar me titra në gjuhën shqipe dhe është përdorë fotografia e publikuar nga Talat Xhaferi.
Krypometër ka gjetur se fjalimi i Vuçiqit që është përdorë në këtë video nuk është mbajtur në takimin në Tiranë, por ishte mbajtur në një takim parazgjedhor të listës “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet” në Leskovc.
Ndërsa fotografia që është përdorë në këtë video është realizuar në takimin e liderëve të vendeve Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6) që është mbajtur në Tiranë më 29.02.2024.
Në këtë takim me temën “Plani i Rritjes dhe Konvergjenca” ishin të pranishëm përfaqësues të shteteve të rajonit, si dhe ishte i ftuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por i njëjti kishte marrë pjesë në këtë Samit vetëm përmes lidhjes online, pasi kishte thënë se paraprakisht e kishte aranzhuar një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar.
Vjollca Bajrami nga kabineti i Xhaferit ka thënë se kjo fotografi është nga konferenca e jo vetëm me Vuçiqin.
“Facebook-u automatikisht e përzgjedh fotografinë, ‘Family photo’, dhe nuk është vetëm me Vuçiqin siç pretendohet aty”- ka thënë Bajrami.
Ajo e ka komentuar edhe fjalimin e Vuçiqit dhe mbishkrimin e vendosur me emrin e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi.
“Lidhur me këtë qëndrim të presidentit serb, Xhaferi dihet se çfarë mendimi e qëndrimi ka ndaj Kosovës, këtë e konfirmoi edhe në konferencën me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”- tha Bajrami për Krypometër.
Talat Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë Veriore. Xhaferi për dy mandate ka qenë kryetar i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë Veriore. Maqedonia Veriore e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e njëjta ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën.
|