schema:text
| - Rrena se Pal Lekaj është dërguar në burg
Deklarata
Pal Leka gjatë gjykimit dërgohet në burg
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i videos “Pal Leka gjatë gjykimit dërgohet në burg” është i rremë. Pal Lekaj nuk është dërguar në burg. Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë të ankesës në Gjykatën e Apelit. I kontaktuar nga Krypometër, Pal Lekaj ka thënë se nuk është dërguar në burg dhe do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës.
Artikulli
Me 31 janar 2024, faqja në Facebook “Fleta Press” ka publikuar një video me titullin “Pal Leka gjatë gjykimit dërgohet në burg”.
Në pjesën e parë të kësaj videoje është gjyqtarja Violeta Namani, e cila e lexon vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që e shpall fajtor ish- Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Në pjesën e dytë të kësaj videoje është bashkangjitur një video humoristike, në të cilën shihen dy persona të burgosur (aktorët që luajnë janë Sevdail Radogoshi dhe Rasim Thaçi).
Krypometër e ka verifikuar se videoja e cila është publikuar në “Fleta Press” është marrë nga video e publikuar në KALLXO.com.
Për të verifikuar titullin se “Pal Leka gjatë gjykimit dërgohet në burg”, Krypometër ka kontaktuar me ish- ministrin Pal Lekaj, i cili tha se nuk është dërguar në burg.
“Jo nuk jam dërguar në burg. Edhe vendimi i sotëm ka qenë që ekziston procedura e ankimimit dhe nëse vendoset rasti në Gjykatën e Apelit dhe vendimi bëhet i formës së prerë, atëherë mund të shkohet në burg. Ne do të shfrytëzojmë të drejtën e ankimimit. Edhe 2-3 muaj nuk mund të ndodhë ankimimi, sepse deri sa të bëhet vendimi, e pastaj edhe ankimimi. Edhe në fjalimin e kryetarës së trupit gjykues u shpjegua shumë mirë që nuk ka burgim, kam të drejtë ankimimi dhe pas aktvendimit të prerë, normal që dihet.”- tha Lekaj për Krypometër.
Gjykata e Prishtinës ka shpallur vendimin në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte bërë kompanisë “Bechtel & Enka”, për zgjatjen e afatit të përfundimeve të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar ish- ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berisha është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtori i prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Gjykata gjeti se këto 53 milionë u dhanë kundërligjshëm dhe Pal Lekaj u shpall fajtor sepse kundërligjshëm nënshkroi marrëveshjen. Po ashtu, gjykata konstatoi se Pal Lekaj kishte ndikuar përmes këshilltarit të tij Eset Berisha tek Shefi i Zyrës Ligjore brenda Ministrisë, për të ndërruar opinionin ligjor mbi 53-milionëshin.
Ministria kishte kontratë me një kompani të huaj “Hill International”, që duhej ta mbikëqyrte projektin e autostradës “Prishtinë– Hani i Elezit”. Lekaj është gjetur fajtor se opinionin e kësaj kompanie mbi pagesën e 53-milionëve e kishte fshehur nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror, në të cilin Lekaj ishte kryesues.
Në këtë opinion, thuhej se nga 53 milionë euro, vetëm 14 milionë janë të arsyetuara si pagesë që duhej bërë.
“Me këtë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje– keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 438, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Atëherë gjykata konform rregullave të Kodit Penal dhe të procedurës penale të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vite e 8 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, po ashtu të akuzuarit Pal Lekaj gjykata i shqipton dënim plotësues konform nenit 65 në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike…”- tha gjyqtarja Violeta Namani.
Bashkë me gjyqtaren Violeta Namani, në trupin gjykues që shpalli vendimin ishin edhe Vesel Ismajli dhe Musa Konxheli.
Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit kurse mbrojtja lirimin e të pandehurve në seancën kur janë thënë fjalët përfundimtare, e cila është mbajtur më 26 janar 2024.
|