schema:text
| - Donald Trump nuk ka bërë video për të përkrahur Albin Kurtin për Zgjedhje
Deklarata
Donald Trump: Albin Kurti është një lider i fortë parimor që qëndron i palëkundur kundër korrupsionit dhe krimit… Unë e përkrahi lidershipin e tij të palëkundur dhe vizionin për një Kosovë më të fortë dhe sovrane.
Vlerësimi
Rrenë
Është e fabrikuar video në të cilën pretendohet se presidenti i SHBA, Donald Trump ka thënë se “Albin Kurti është një lider i fortë parimor që qëndron i palëkundur kundër korrupsionit dhe krimit… Unë e përkrahi lidershipin e tij të palëkundur dhe vizionin për një Kosovë më të fortë dhe sovrane.” Trump nuk e ka bërë një deklarim të tillë. Videoja është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, bazuar në një intervistë që Trump kishte dhënë në vitin 2017 për NBC News. Kjo video e fabrikuar është publikuar disa ditë para Zgjedhjeve që pritet të mbahen më 09.02.2025.
Artikulli
Më 03.02.2025, faqja në Facebook Albinii Shpresa (arkiva dhe arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në këtë material pretendohet se Trump ka thënë se i mbështetë politikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“QKA THOT GRENELLI NUK QON PESH BASH HIQ 😉💪💪 🙏🏼 🇺🇲🇦🇱 ❤️❤️ ❤️ ❤️ ❤️ ❤️✅️ 1️⃣1️⃣8️⃣✅️❤️❤️❤️❤️”- thuhet në postim.
“Albin Kurti është një lider i fortë parimor, që qëndron i palëkundur kundër korrupsionit dhe krimit. Dedikimi i tij ndaj sovranitetit dhe prosperitetit të Kosovës është i admirueshëm. Unë e përkrah lidershipin e tij të palëkundur dhe përkushtimin ndaj drejtësisë, demokracisë dhe interesa më të mira të qytetarëve. Unë e përkrah lidershipin e tij të palëkundur dhe vizionin për një Kosovë më të fortë dhe sovrane.”- pretendohet se ka deklaruar Trump.
Krypometër ka analizuar materialin në fjalë dhe ka vërejtur se ka shenja që videoja është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
Më tej, Krypometër ka kërkuar në internet nëse Trump ka deklaruar diçka të ngjashme për Kurtin edhe në gjuhën angleze, edhe në shqip, por nuk është gjetur ndonjë rezultat.
Përmes kërkimit në Google Fact Ceck Tools, Krypometër ka gjetur se e njëjta video është përdorë për të prodhuar postime të rreme në mbarë botën.
Lead Stories e kishte vlerësuar të rreme të njëjtën video, e cila gjoja Trump fliste për një “numër të qytetarëve me ngjyrë që kanë supërfuqi të ngjashme më të Zotit”.
Edhe nga Snopes videoja e njëjtë ishte vlerësuar si e rreme, ngase ajo video pretendonte se Trump gjoja deklaronte “We’ve got to make antisemitism great again” (Ang: duhet ta bëjmë antisemitizmin madhështor përsëri).
Ndërsa, kontrolluesi i fakteve Newschecker thot se video është gjeneruar përmes platformës Parrot AI, që përmes AI (inteligjencës artificiale) i mundëson përdoruesve të gjenerojnë zërat e personave të famshëm, përfshirë Presidentin dhe ish- Presidentin e SHBA.
Newschecker thot se përmes kësaj platforme krijoi një video të Trump duke thënë: “Përshëndetje. Unë jam Donald Trump. Unë jam ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Tutje, Krypometër e ka kërkuar fotografinë e Trump në TinEye dhe ka gjetur se e njëjta për herë të parë ishte publikuar në vitin 2017.
Bazuar në prapavijë, mbrapa presidentit Trump dhe në veshjen e tij, Krypometër ka gjetur se fotografia është shkëputuar nga një intervistë që presidenti i SHBA, Donald Trump e kishte dhënë në NBC News, më 12.05.2017. Në këtë intervistë, Trump nuk kishte folur për Albin Kurtin e as për Zgjedhjet në Kosovë.
Video me pretendimin se Trump e mbështet Kurtin po qarkullon pikërisht në kohën kur Richard Grenell ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme. Këto deklarata ai i bëri në rrjetin social X, ish Twiter, më 03.02.2025.
“Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit. As në mandatin e Bidenit. Republikanët dhe demokratët kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrje të njëanshme të veprimeve dhe destabilizim të rajonit.”- ka postuar Grenell mes të tjerash.
Richard Grenell, i cili që në Presidencën e parë të Trumpit ka shërbyer edhe si Emisar i SHBA për Dialogun Kosovë- Serbi, kishte pasur mospajtime me Albin Kurtin në mandatin e tij të parë.
Njëkohësisht, Kurti është kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të ri për Kryeministër, në Zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025.
Në këto Zgjedhje, kandidatë tjerë për kryeministra nga subjektet politike në vend janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Harandinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kurti ka qenë Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tri mandate me radhë. Ai ka shërbyer gjithashtu si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.
Në tri palë Zgjedhje të njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë Kandidat i LVV për Kryeministër.
Në Zgjedhjet e mbajtura më 14.02.202 lista e LVV fitoi 50.28% të votave, ndërkaq Qeveria Kurti 2 u votua më 22.03.2024
|