schema:text
| - Video me pretendime të rrejshme për shërimin e nyjeve vetëm me anë të një kreme
Deklarata
Si i rikuperova nyjet e mia në moshën 64 vjeç – u çlirova nga paaftësia dhe vrapoj si një person i ri
Vlerësimi
Rrenë
Video me titullin “Si i rikuperova nyjet e mia në moshën 64 vjeç – u çlirova nga paaftësia dhe vrapoj si një person i ri!”- është e rreme. Në këtë video janë bërë konstatime të rreme se vetëm duke përdorë një kremë mund të shërohet artriti. Krema që rekomandohet për t’u përdorë nuk ka Autorizim të Marketingut, dokumenti i nevojshëm që një produkt të shitet në Kosovë. Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve. Kryeziu ka thënë se janë tri lloje të ilaçeve që përshkruhen bazuar në protokollet shëndetësore, të cilat janë për trajtnim të simptomave apo për ndaljen e avancimit të sëmundjes në një stad tjetër.
Artikulli
Më 16.12.2024, faqja në Facebook healthy.com (arkiva & arkiva) ka publikuar një video përmes së cilës pretendohet se me anë të një kreme shërohen nyjet.
“Të lutem, bëje këtë çdo ditë 👉 Si i rikuperova nyjet e mia në moshën 64 vjeç – u çlirova nga paaftësia dhe vrapoj si një person i ri!”- shkruan në titull të kësaj videoje.
Në këtë video është prezantuar një histori e një pacienti të diagnostifikuar me artrit.
“Mjekët më bën invalide. Pak njerëz e dinë, por për pak sa nuk u bëra invalide dhe kalova tre muaj në karrocë për të paaftët. Para tre vjetëve fillova të ndjej dhimbje të vazhdueshme në shpinë, gjunjë dhe qafë. Mjekët më diagnostifikuan me artirit dhe menjëherë fillova trajtimin. Ndiqja të gjitha këshillat dhe rekomandimet e tyre, por sëmundja vazhdonte të përparonte. Pas dy vjetësh e gjysmë ishte më e lehtë për mua të lëvizja me karrocë për të paaftët, se sa të ecja vetë. Kisha shpenzuar mijëra euro për trajtime, por gjithçka ishte e kotë. Fillova të besoj se do të vuaja nga dhimbjet kronike deri në fund të jetës, por një ditë pashë në Facebook se si Behar Jonuzi i quante idiotë ata që përpiqen të trajtojnë dhimbjen e nyjeve me tableta. Në fillim u zemërova me të, por pasi lexova artikullin në faqen e tij, kuptova se ai e kishte plotësisht me të. E provova metodën e tij dhe tani jam plotësisht e shëndetshme. Ne me të vërtet kemi qenë naiv duke besuar në ato marrëzi që na thonë mjekët. Dëgjoni se cfarë thot Behar Jonuzi për këtë.”- thuhet në këtë video.
Protexx është produkti që rekomandohet nga kjo faqe që pretendohet se shëron nyjet, prandaj Krypometër ka kërkuar edhe te lista e barnave që kanë Autorizim Marketingu në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë (AKPPM) rezulton se produkti “Prostafixx” nuk është në listën e barnave me Autorizim Marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës, vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
A mund të shërohet artriti me një kremë?
Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
Kryeziu ka thënë se është e domosdoshme që, për një kohë sa më të shkurtër, pacientët të konsultohen me profesionistët e të trajtohen bazuar në protokollet shëndetësore.
“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje duhet me e konsultu doktorin, sepse koha është shumë e rëndësishme. Përdorimi i tyre është i dëmshëm dhe shitja e këtyre barnave është edhe e jashtëligjshme. Si epilog, çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit, duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat.”- ka thënë Kryeziu.
Ai ka thënë se përshkrimi i ilaçeve bëhet në përputhje me gjendjen e pacientit, rezultatet e analizave dhe sëmundjet e tjera përcjellëse që mund të ketë ai.
“Çdo ilaç duhet të ketë përshkrimin, me Ligje e Rregullore shëndetësore, edhe për efektet anësore çka mundet me ba dëm, sepse çdo ilaç ka efekte anësore. Nuk ka ilaç pa efekte anësore, prandaj ne i dallojmë ku dhe kur me i dhanë. Nëse një person ka probleme shëndetësore edhe të natyrave të tjera, në të njëjtën kohë ne zgjedhim ilaçe që nuk shkaktojnë probleme p.sh. në lukth. Për këto ilaçe duhet bërë një hulumtim, duhet të ndërmarrë masa shteti.”- ka thënë Kryeziu.
Trajtimi i këtyre sëmundjeve sipas tij bazohet në tri fusha kryesore.
Tutje, ai ka shpjeguar se grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike, pra ndikojnë në zbutjen e simptomave si dhimbjes e inflamacionit.
“Grupi i dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhjes së sëmundjes ose e ndalë procesin.”- ka thënë ai duke shtuar se në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.
Edhe diagnostifikimi i sëmundjeve është i vështirë dhe kërkon të bëhen analiza e kontrolle tjera.
“Diagnostifikimi kalon në disa drejtime: analizat, serologjia, rezonanca, ultrazëri etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokolleve të cilat nuk i kemi shpikur ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës. Tash, disa kanë nevojë më tepër për terapi medikamentoze e pastaj fizioterapi, e një grup tjetër kur vjen te dekompozimi i nyjës, dëmtimi i rrallë i nyjës, këtu hyn në punë edhe kirurgjia.”- thot Kryeziu.
I kontaktuar nga Krypometër, ortopedi Zukë Xani thot se trajtimi i sëmundjes osteoartrit është shumë kompleks.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik. Pra, gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja.”- ka thënë Xani për Krypometër.
|