schema:text
| - Informacioni i rremë se BMW-të e Ministrisë së Punëve të Jashtme janë të LDK-së
Deklarata
Raketat “BMWKTAR” të LDK-së të cilat janë treguar shumë të suksesshme, edhe në Ukrainë
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i fotografisë “Raketat “BMWKTAR” të LDK-së të cilat janë treguar shumë të suksesshme, edhe në Ukrainë” është i rremë. Veturat që shihen në këtë fotografi nuk janë blerë në kohën kur Lidhja Demokratike ka udhëhequr me Qeverinë e Kosovës. Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për Krypometër, ka thënë se veturat nuk janë blerë në kohën e tij. Krypometër ka arritur të verifikojë që veturat janë blerë në vitin 2019 nga ministria e Punëve të Jashtme. Në atë kohë, pra në vitin 2019 kur janë blerë veturat ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli.
Artikulli
Më 16 janar 2024 janar në faqen në Facebook ‘Diaspora Vetëvendosje’ është postuar një fotografi (arkiva) e dy veturave të tipit BMW, me përshkrim “Raketat “BMWKTAR” te LDK-së të cilat janë treguar shumë të suksesshme, edhe në Ukrainë”.
Faqja ka pretenduar se këto vetura janë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose janë blerë në kohën kur Kosova është qeverisur nga kjo parti.
Një postim i ngjashëm ishte bërë në vitin 2023 nga faqja “Aktivistja E Levizjes Mitrovice”, e cila kishte postuar një fotografi që theksonte që gjatë kohës sa kryeministër ishte Avdullah Hoti, Qeveria kishte blerë disa vetura të tipit BMW.
Krypometri fillimisht ka kontrolluar vërtetësinë e fotografisë, dhe përmes TinEye.com (arkiva) ka gjetur se kjo fotografi qarkullon në internet prej vitit 2020, pra fotografia e veturave është ripublikuar disa herë.
Krypometër ka kërkuar informacione nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nëse veturat janë blerë në kohën kur ai ishte kryeministër. Hoti e ka mohuar një gjë të tillë.
“Në qeverinë sa kam qenë unë kryeministër, ka qenë kohë pandemie e krize ekonomike nga mbyllja. Askujt nuk i ka shkuar ndër mend të blejë vetura.”- ka thënë Hoti në një përgjigje për Krypometër.
Avdullah Hoti ka qenë kryeministër i Kosovës nga data 3 qershor 2020 e deri në 23 mars 2021.
Krypometër ka kërkuar informacione në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për blerjen e këtyre veturave. Krypometër ka gjetur se më 10 nëntor 2020, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kishte lëshuar një sqarim (arkiva) se procedura e negociuar për blerjen e tri veturave të markës BMW, ka nisur me datën 24 maj 2019, nga departamentet përgjegjëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Veturat janë sjellë në Kosovë në dhjetor të vitit 2019, kanë qenë gjithmonë brenda objekteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe për përdorimin e tyre është vendosur varësisht nga nevoja. Tri veturat, tashmë në pronësi të MPJD janë blerë me çmim të arsyeshëm të tregut, me një zbritje, e cila ka qenë edhe arsyeja e zgjedhjes së ministrisë për t’i blerë këto vetura”- thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Kjo ministri kishte thënë se kontrata për blerjen e veturave është nënshkruar në qershor 2019, ndërsa veturat janë pranuar nga ministria në dhjetor të vitit 2019, në kohën kur ministër i Punëve të Jashtme ishte Behgjet Pacolli.
“Kontrata për blerjen e tyre është firmosur me datën 14 qershor të vitit 2019 ndërmjet BMW AG Munchen dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, kur MPJD drejtohej nga ish ministri Behgjet Pacolli. Veturat janë sjellë në Kosovë në dhjetor të vitit 2019, kanë qenë gjithmonë brenda objekteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe për përdorimin e tyre është vendosur varësisht nga nevoja”- thuhet në sqarimin e kësaj ministrie.
Krypometër ka gjetur se edhe Pacolli e kishte pranuar blerjen e këtyre veturave në emisionin “KallxoPernime”.
“BMW-të janë blerë për protokoll. Fillimisht kanë qenë dy BMW, pastaj është ardhë edhe një BMW, pasi që kam shkuar unë. Ato makina janë blerë me një çmim 50%, nuk e kemi paguar çmimin që shitet sot, e kemi shfrytëzuar atë mundësinë diplomatike. Ato makina është dashtë t’i shërbejnë protokollit”- ka thënë ai.
Behgjet Pacolli ka qenë ministër i punëve të Jashtme prej vitit 2017 deri në vitin 2020 në Qeverinë Haradinaj II.
|