schema:text
| - Pretendimi se hudhra e mjalti shërojnë dhimbjet e shpinës
Deklarata
Provoni këtë recetë dhe KURRE më nuk do të vuani nga DHIMBJET e shpinës dhe NERVIT shiatik!
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “Provoni këtë recetë dhe KURRE më nuk do të vuani nga DHIMBJET e shpinës dhe NERVIT shiatik!” është i rremë. Specialistët e fushës, ortopedë dhe neurologë, thonë se dhimbjet e shpinës dhe nervit shiatik trajtohen me medikamente të pranuara shkencëtarisht apo në raste të caktuara edhe me operime.
Artikulli
Më 16 nëntor 2023, Faqja në Facebook, ‘Dubsmash Shqip’,(arkiva) ka publikuar një artikull me titull, “Provoni këtë recetë dhe KURRE më nuk do të vuani nga DHIMBJET e shpinës dhe NERVIT shiatik!”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në ueb faqen ‘Kape Lajmin’ (arkiva).
Artikulli rekomandon një recetë me hudhër dhe mjaltë që pretendon se shëron dhimbjen e nervit shiatik.
“….ju ndihmojë të kontrolloni dhimbjen dhe enjtjen e nervin shiatik pasi do ju ndihmoje anti-inflamatori, hudhra. Shtoni pak mjaltë në këtë ilaç për aromë dhe gjithashtu do të neutralizoni shijen e hudhrave! Nëse e merrni rregullisht, ju kurrë nuk do të vuani nga nervi shiatik apo dhimbja e shpinës!”- shkruhet në artikull.
Për të verifikuar se a shërohen dhimbjet e shpinës me këtë recetë, Krypometër ka kontaktuar drejtorin e Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica.
Ai për Krypometër tha se kjo recetë është popullore.
“Ne nuk merremi me këto receta popullore por as që kemi njohuri rreth tyre. Ne si profesionistë rekomandojmë barna të licencuara për trajtimin e dhimbjeve të shpinës”- thuhet në përgjigjen e drejtorit të Ortopedisë.
Krypometri ka kontaktuar edhe me specialistin e ortopedisë Blerim Qosja, i cili ka thënë se mjekët kanë protokole tjera për të trajtuar këto sëmundje.
“Nuk kam njohuri për këto receta. Ne si ortopedë i rekomandojmë medikamente të caktuara varësisht nga gjendja e pacientit”- ka thënë për Krypometër ortopedi Blerim Qosaj.
Për të njëjtën sëmundje, më herët për Krypometrin kishte folur edhe neurokirurgu Besnik Elshani. Ai kishte thënë se një recetë e tillë është metodë popullore, që sipas tij nuk ka një mbështetje shkencore se shëron dhimbjet shiatike.
Elshani ka thënë se për dhimbjet e shpinës, të cilat vërtetohen përmes fotografimeve rentgen, s’ka përbërës të tillë (recetë) që e shërojnë.
Ai tha se nëse sëmundja e shiatikut ka elemente operative, duhet patjetër që të bëhet operacion. Kurse, në rastet kur nuk ka elemente operative, atëherë trajtimi duhet të bëhet me medikamente e jo me receta që nuk i njeh shkenca.
|