schema:text
| - Fotografia e manipuluar e Kryetarit të të Rinjve të PDK
Deklarata
ALBIN BABA ♥
Vlerësimi
Rrenë
Është e ndryshuar fotografia e Trim Sylës, kryetar i të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)- Dega në Prishtinë që mbanë në duar një pankartë në të cilën shkruhet “ALBIN BABA ♥”. Në fotografinë reale Syla e mbanë një pankartë në të cilën shkruhet “VUSHTRRIA KA PULS♥”. Kjo fotografi e ndryshuar është publikuar gjatë fushatës parazgjedhore dhe vetëm disa ditë para Zgjedhjeve që pritet të mbahen më 09.02.2025.
Artikulli
Më 02.02.2025, një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet Trim Syla, kryetar i të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)- Dega në Prishtinë dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër, Bedri Hamza.
Në fotografi pretendohet se Syla mbanë një pankartë në të cilën shkruhet “ALBIN BABA ♥”.
Krypometër përmes kërkimit të fotografisë në Google ka gjetur fotografinë reale, në të cilën Trim Syla nuk e mbanë pankartën me mbishkrimin “Albin Baba”.
Në fotografinë reale, Syla mbanë në duar një pankartë që shkruan “VUSHTRRIA KA PULS♥”. E njëjta fotografi është publikuar më 01.02.2025 edhe në profilin e Trim Sylës.
Trim Syla është kryetar i të Rinjve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)- Dega në Prishtinë. Ai këtë pozitë e ka marrë para dy vjetëve.
Syla është autor i aktiviteteve të quajtura #TrimiMeParullë, në kuadër të PDK. Disa prej këtyre shkrimeve në parullat e Sylës përmbajnë: “Rritet tatimi, pasurohet Martini”, “Me pare të tatimit blejnë rrymë t’Martinit”, “Martin veç vonim se s’ka pshtim”, “Sa e ka koeficientin Martini” etj..
Edhe në fushatë zgjedhore, ai është parë me pankarta me mbishkrimet: “Klina ka puls”, “Peja ka puls”, “Suhareka ka puls”, “Gjilani ka puls”, “Lipjani ka puls”, “Drenasi ka puls” etj..
Me Dekret të presidentes Vjosa Osmani, Zgjedhjet parlamentare janë caktuar të mbahen më 09.02.2025, procesi i parë ky i rregullt zgjedhor në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Në këto Zgjedhje, kandidatë për kryeministra nga subjektet politike në vend janë: Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër aktual, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Harandinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
|