schema:text
| - Agron Kuçi, kryetar i komunës së Junikut
Tregu ‘gjysmak’ i Junikut
Deklarata
Agron Kuçi: Ju garantoj që në vitin 2018 do të fillojnë punimet për tregun e gjelbër, kemi lokacionin, kemi investitorin e ri, kemi edhe projektin e ri
Vlerësimi
Rrenë
Kanë kaluar 2 vjet që nga fillimi i mandatit të ri të kryetarit të Junikut, mirëpo punimet për tregun e gjelbër në Junik nuk janë përfunduar. Komuna e ka bërë fajtor kompaninë private që e ka marrë projektin e partneritetit Publiko-Privat. Por, është përgjegjësi e komunës që me zgjedh partneri që i realizon obligimet që i merr me kontratë, e nëse nuk i realizon merr masa e parapara në kontratë brenda një afati optimal.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, në debatin për kryetar komune ‘Debat Përnime’ kishte premtuar që punimet për tregun e gjelbër në Junik do të fillonin në vitin 2018.
“Ju garantoj që në vitin 2018 do të fillojnë punimet për tregun e gjelbër, kemi lokacionin, kemi investitorin e ri, kemi edhe projektin e ri”, kishte thënë Kuçi.
Në muajin shtator, Kallxo.com kishte pyetur Komunën e Junikut nëse kishin filluar punimet për projektin e tregut të gjelbër, dhe përgjigja e Komunës ishte janë ‘në proces’.
Kallxo.com ka kërkuar më shumë shpjegime nga Komuna e Junikut se çka nënkupton ‘në proces’ për projektin e tregut të gjelbër.
Komuna e Junikut është përgjigjur më 5 tetor se në muajin e ardhshëm (nëntor) do të fillojnë punimet për tregun e gjelbër.
“Me ‘në proces’, nënkuptojmë, muajin e ardhshëm, fillojnë punimet”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Junikut.
Tashmë në maj të vitit 2019, Komuna ka thënë për Kallxo.com se Kuvendi Komunal ka marrë vendim për ndërtimin e tregut në një pronë private.
“Tregu është duke funksionuar por jo në kushtet e duhura”, vazhdon përgjigja e Komunës së Junikut.
Më tej, Komuna e Junikut ka deklaruar se ata kanë asfaltuar rrugën për kyçje në treg dhe se kanë ofruar ndihmën për mirëmbajtën e kësaj hapësire. Komuna e Junikut është shprehur se kanë pasur pengesa nga pronari i parcelës private për shkak se ai nuk i ka investuar paratë e premtuara.
“Mirëpo gjatë procesit te partneritetit publiko – privat kemi hasur në pengesa sepse pronari privat nuk ka shfaqur gatishmëri për investimin e mjeteve për të cilat është zotuar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Junikut.
Agron Kuçi është zgjedhur për herë të tretë në krye të Komunës së Junikut me rreth 7 mijë banorë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Agron Kuçi është zgjedhur kryetar i Junikut qysh në raundin e parë të zgjedhjeve të zhvilluar me 22 tetor. Agron Kuçi ka fituar me 1 mijë e 499 ose 57.88 për qind kundrejt tre kandidatëve të tjerë nga LDK, Vetëvendosje dhe PDK që synonin pozitën e të parit të Junikut.
Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.
Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.
|