schema:text
| - Publikime në seri për konkurse të rreme për paketim të ilaçeve
Deklarata
Lajme te mira! ️Po rekrutojmë paketues farmaceutikë! Nëse keni nevojë për punë, ju lutemi na kontaktoni më poshtë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Lajme te mira! ️Po rekrutojmë paketues farmaceutikë! Nëse keni nevojë për punë, ju lutemi na kontaktoni më poshtë”- është i rremë. Faqja në Facebook ‘Local serse.com’, e cila e ka publikuar këtë njoftim në gjuhën shqipe është hapur më 10.07.2024 dhe menaxhohet nga një llogari në Hong Kong dhe në të nuk është publikuar asnjë informacion bazik. Edhe në faqen e internetit nuk është publikuar asnjë informacion rreth njoftimit për konkurs. Në faqet për publikim të konkurseve në Kosovë nuk është publikuar një konkurs i ngjashëm.
Artikulli
Më 09.08.2024 faqja në Facebook ‘Local serse.com’ (arkiva) ka publikuar një njoftim për rekrutim të punëtorëve farmaceutik.
“Lajme te mira! ️Po rekrutojmë paketues farmaceutikë! Nëse keni nevojë për punë, ju lutemi na kontaktoni më poshtë”- shkruan në titull.
Ndërsa lajmi është i ilustruar edhe me një infografikë, në të cilin shkruan që nuk ka nevojë për përvojë pune, të rekrutuarit mund të jenë nga mosha 18 vjeç deri në 75, si dhe që ka sigurim shëndetësor dhe pension ndërsa trajnimi është me pagesë.
“Shihni pagën, shih adresën”- shkruan më poshtë.
Faqja në Facebook ‘Local serse.com’, e cila e ka publikuar këtë njoftim në gjuhën shqipe është hapur me 10.07.2024 dhe menaxhohet nga një llogari në Hong Kong.
Kur klikon, postimi të dërgon tek faqja e internetit ‘medicinepackage-jobs1.xyz’(arkiva), e cila s’ka asnjë informacion bazik: adresën, numrin e telefonit apo emailin, si dhe kritere të tjera që duhet t’i ketë një njoftim.
Krypometri ka kërkuar informacione rreth domenit ‘medicinepackage-jobs1.xyz’(arkiva) në “Whois.com” dhe rezulton se i njëjti është i regjistruar më 25.01.2024 ndërsa përditësimin e fundit e ka bërë më 18.04.2024. Ndërsa emri i pronarit nuk figuron, vetëm Arizona është shteti në të cilin është i regjistruar si domen.
Faqja në Facebook ‘Local serse.com’(arkiva) ka publikuar edhe disa njoftime të ngjashme (arkiva) për rekrutimin e punëtorëve farmaceutikë, por në gjuhë të tjera.
Kur klikon mbi këto lajme të dërgojnë te faqja e njëjtë “medicinepackage-jobs1.xyz” (arkiva), e cila s’ka asnjë lidhje me postimin në Facebook dhe asnjë informacion lidhur me procedurat e aplikimit për këtë vend pune.
Krypometër ka kontrolluar në faqen e ShSKUK-së, tek konkurset për punë, nëse ka ndonjë konkurs për rekrutim të punëtorëve farmaceutik, por nuk ka gjetur ndonjë të tillë.
Publikimi i fundit në këtë faqe është më 27.08.2024.
Krypometri ka kërkuar po ashtu edhe në faqe në të cilat publikohen konkurse pune në Kosovë.
Në faqen KosovaJob nuk ka ndonjë të tillë për farmacistë paketues.
Edhe në faqen OfertaPune, Krypometër nuk ka gjetur ndonjë konkurs pune për farmacistë paketues.
Në faqen PortalPune nuk është gjetur ndonjë konkurs i ngjashëm. Krypometër ka kontaktuar me Ardit Krasniqin nga “PortalPune”, i cili ka thënë se elementet bazike të një konkursi dhe të punëdhënësi janë: adresa dhe kontakti, lokacioni i vendit të punës që është shpallur konkursi etj.
Krasniqi ka thënë se për të shmangur konkurset e rreme e mashtruese, në PortalPune të gjithë punëdhënësve i kërkohen të dhënat e biznesit, siç është numri unik i biznesit.
“Ne e kërkojmë atë numër identifikues (pra, numrin unik të biznesit) në mënyrë që me ditë kush po shpallë punë edhe ku është adresa e shpallësit dhe kush është pronari, në mënyrë që mos me manipulu me punëkërkuesit”- ka thënë ai.
|