schema:text
| - Frashër Krasniqi.
Frashër Krasniqi ia huq për aktakuzën e Agim Bahtirit
Deklarata
Deklarata: “Me aktakuza keni njerëz sa të duash. Keni njerëz në partinë e juaj, duke përfshi, Ajvaz Berishën, Gimën e Gushafcit (Agim Bahtiri). Gima i Gushafcit ka aktakuzë për keqpërdorim të 800 mijë eurove. Hin këqyre”, Frashër Krasniqi, 05.09.2019
Vlerësimi
Rrenë
Vlerësimi: Frashër Krasniqi ka gënjyer kur ka thënë se Agim Bahtiri është i akuzuar për 800 mijë euro. Kanë kaluar rreth 2 vite e gjysëm prej që aktakuza ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës është hedhur poshtë.
Artikulli
Ish- deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së, Frashër Krasniqi e ka ‘bërë me aktakuzë’, Agim Bahtirin, kryetar i Mitrovicës, i aderuar së fundmi në Lëvizjen Vetëvendosje.
Megjithatë, hulumtimi i KALLXO.com tregon se në fakt Bahtiri nuk akuzohet për rastin e përmendur nga Krasniqi.
Frashër Krasniqi deklaratën e pavërtetë e dha të enjten në një debat televiziv në televizionin T7, duke debatuar me ish- gazetarin, Mefail Bajqinovci, i cili aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje.
Krasniqi ka deklaruar se Agim Bahtiri ka një aktakuzë lidhur me keqpërdorimin e 800 mijë eurove.
I pyetur nga Mefail Bajqinovci nëse koalicioni AAK-PSD do ta kandidojë Pal Lekajn për deputet, i cili ka aktakuzë, Frashër Krasniqi i kundërvihet duke përmend zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje që sipas tij kanë aktakuza.
“Me aktakuza keni njerëz sa të duash. Keni njerëz në partinë e juaj, duke përfshi, Ajvaz Berishën, Gimën e Gushafcit (Agim Bahtiri). Gima i Gushafcit ka aktakuzë për keqpërdorim të 800 mijë eurove. Hin këqyre”
Megjithatë, kjo nuk qëndron. Agim Bahtiri nuk është i akuzuar. Aktakuzëa të cilës i është referuar Krasniqi ka pushuar para rreth 2 vite e gjysmë.
Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë aktakuzën me pretekstin se nuk ka gjetur prova.
KALLXO.com kishte raportuar në mars të vitit 2017 për vendimin e Gjykatës së Apelit për ta hedhur poshtë aktakuzën në fjalë.
Në atë aktakuzë, të ngritur me 1 mars 2016 pretendohej se lidhja e kontratës “Furnizimi montimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik efecient në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës” është manifestuar më shkelje të njëpasnjëshme.
|