schema:text
| - Lipjan, ende e pashtruar rruga që u përmend nga Kryetari 7 vite më parë
Deklarata
Imri Ahmeti (18.11.2013)- ” [Pritet] hapja e rrugëve të reja, siç është …Lluga- Radevë”.
Vlerësimi
Hetimet vazhdojnë
7 vite nga kur Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti e kishte përmendur ndërtimin e rrugës që lidh dy fshatra në komunat e Lipjanit dhe Graçanicës, kjo rrugë ende nuk ka nisur të ndërtohet. KRYPOMETRI të përcjellë zhvillimin e këtij projekti në të ardhmen.
Artikulli
Para shtatë vitesh, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetit e pati premtuar ndërtimin e rrugës së re për lidhjen e fshatrave Lluga e komunës së Lipjanit me fshatin Radevë të komunës së Graçanicës.
Këtë Ahmeti e kishte premtuar para se të merrte mandatin e parë në këtë komunë, në zgjedhjet e vitit 2013.
“Ndër projektet kryesore që do të doja të theksoja me këtë rast, është përmbyllja e ndërtimit të asfaltimit në të gjitha fshatrat. Hapja e rrugëve të reja, siç është …Lluga- Radevë”, kishte thënë Ahmeti në zgjedhjet lokale 2013 në Emisionin Jeta në Kosovë, kur ishte pyetur se çka premton për Lipjanin.
Por ky projekt tash e 7 vite nuk është realizuar.
Fillimisht, në shkurt të vitit 2017, kjo rrugë ishte përfshirë në ndarjen e 3 milionë eurove për investime nga Ministria e Infrastrukturës në atë kohë.
“Ministria e Infrastrukturës po ashtu do të financojë edhe projektet si ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës nga udhëkryqi i Banullës deri te hyrja e Lipjanit, ndërtimi rrugës “Sadik Shala”, në Lipjan, ndërtimi i rrugës Lluga –Radevë”, thuhej në një njoftim të Komunës në atë kohë.
Iniciativa e fundit e Komunës së Lipjanit për hapjen e kësaj rrugë të re është në maj të këtij viti.
Kryetari Imri Ahmeti më 22 maj bashkë me ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka nënshkruar memorandum për financimin e projekteve në komunën e Lipjanit, ku përfshihet edhe rruga Lluga- Radevë në vlerë 400 mijë euro.
|