schema:text
| - Tentimi për të zhvatur 108 euro përmes ofertave të rreme për kredi
Deklarata
108.72 euro për Kontratën e huasë që do të nënshkruani përpara se të merrni kredinë
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që pretendon se qytetarët mund të marrin kredi mbi 3000 euro. Kjo faqe që rrejshëm paraqitet si institucion financiar ia kërkon qytetarëve që të parapaguajnë “108.72 euro për Kontratën e huasë që do të nënshkruani përpara se të merrni kredinë”. Faqja që e ka bërë këtë postim nuk është e licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe nuk ka të drejtë të lëshojë kredi për qytetarët e Kosovës. BQK i ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e postimeve të rreme e mashtruese.
Artikulli
Më 03.09.2024, faqja në Facebook Ofina Kredit Kosovo (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi.
“Jemi ne dispozicionin tuaj. Na kontaktoni për më shumë informacion ose na kontaktoni direkt me WhatsApp”- shkruan në titullin e kësaj oferte dhe është bashkuar linku që të dërgon te chati në WhatsApp.
Për të kuptuar më shumë rreth ofertave për kredi të ofruar në këtë postim, Krypometër ka dërguar pyetje në numrin e publikuar nga faqja Ofina Kredit Kosovo (arkiva).
Në numrin kontaktues, Krypometër ka pranuar udhëzime që mundësojnë marrjen e kredive, e një prej hapave të parë është pagesa që duhet të bëjë me rastin e aplikimit për kredi.
“Shuma minimale që ne japim është 3000 euro dhe ju do të duhet të paguani 108.72 euro për Kontratën e huasë, që do të nënshkruani përpara se të merrni kredinë. Ju do të merrni kredinë tuaj më pak se gjashtë orë pas pagesës. Ju informojmë se kredia jonë është online dhe kompania jonë ndodhet në Francë.”- thuhet në përgjigjen e kësaj faqeje.
Në faqen Ofina Kredit Kosovo është publikuar një fotografi e një banke, që pas verifikimit të saj në Tin Eye rezulton se është publikuar shumë kohë më parë në internet dhe e njëjta është përdorur për ilustrim të objektit të bankës.
Kjo faqe është hapur më 13.09.2024, ndërsa fillimisht ishte e emëruar si Ofina Kredit Polska, pastaj u ndryshua në Ofina Kredit Kosovo.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës. Për licensim nga BQK, institucioneve u kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
Në uebfaqen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) është e publikuar lista e institucioneve financiare të licensuara, por aty nuk figuron asnjë institucion me emrin Ofina Kredit Kosovo (arkiva).
Krypometër ka dërguar pyetje edhe te Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
“Publikimet e tilla, sikurse këto të profileve në Facebook, nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licensuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët. Me këtë rast, ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion, për t’i larguar këto njoftime.”- thuhet në përgjigjen e BQK.
|