schema:text
| - Pretendimi i rremë për shmangien e atakut në zemër përmes një pije të përgatitur në kushte shtëpie
Deklarata
Pija që pastron arteriet e bllokuara dhe që ul kolesterolin
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë pretendimi se një kombinim i limonit, xhenxhefilit dhe hudhrës është “pija që pastron arteriet e bllokuara dhe që ul kolesterolin”. Nuk ka të dhëna shkencore që thonë se sulmi në zemër që shkaktohet nga bllokimi i enëve të gjakut mund të shmanget duke e konsumuar një pije të tillë. Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi thot se rashja e mureve të gjakut është kur koncentrohet yndyra, kolesteroli dhe substancat tjera në muret e arterieve, që me kalimin e kohës shkaktojnë ngushtimin e enës së gjakut apo mbylljen e enëve. Si pasojë, mund të ketë infarkt në atë regjion (tru, zemër apo veshkë)”. Kardiokirurgu Rifat Brahimaj thot se në mjekësi nuk ekziston termi ‘pastrimi i enëve të gjakut’ dhe nuk ekziston asnjë produkt që i ‘pastron’ enët e gjakut nëse ato janë të dëmtuara.
Artikulli
Më 23.11.2024, faqja në Facebook, ‘Lajmin Express’ (arkiva), ka publikuar një artikull përmes së cilit pretendohet se ‘një pije’ pastron arteriet e bllokuara dhe ulë kolesterolin.
Lajmi i njëjtë është publikuar edhe në uebfaqen ‘shqipinfo.net’(arkiva).
“Pija që pastron arteriet e bllokuara dhe që ul kolesterolin”- shkruan në titullin e këtij artikulli.
Tutje, pretendohet se ky përbërës përgatitet duke kombinuar disa përbërës, si: limon, hudhër dhe xhenxhefil.
“Lëngun e përftuar vendoseni në zjarr të ulët dhe shtoni pak ujë sa të marrë valë. Lëreni të ftohet në një shishe qelqi në frigorifer. Konsumojeni njeher ne javë”- shkruan në artikull.
Për të verifikuar pretendimet e bëra në këtë artikull, se një recetë e tillë arrin të ketë ndikim në arteriet e bllokuara dhe si rrjedhojë, të shmangë sulmin në zemër, Krypometër ka kërkuar një shpjegim nga Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi.
Ai ka thënë se rekomandimi i parë që bëhet është dieta dhe aktiviteti fizik. “Trajtimi i yndyrës në gjak, kur është niveli i ulët merren masa dietale. Rekomandojmë që ushqimi të konsumohet me sa më pak yndyrë. Rekomandojmë, po ashtu, edhe aktivitet fizik.”- ka thënë Shurdhiqi. Sipas tij, faza e dytë është përdorimi i medikamenteve.
“E nëse, pas këtyre (dietës dhe aktivitetit fizik), nuk arrihet normalizimi i yndyrës në gjak, atëherë vazhdojmë me medikamente”- ka thënë ai.
Shurdhiqi ka dhënë shpjegime edhe sa i përket trashjes së mureve të enëve të gjakut.
“Trashja e mureve të gjakut shkaktohet nga koncentrimi i yndyrnave, kolesterolit dhe substancave tjera në muret e arterieve, e cila me kalimin e kohës shkakton ngushtimin e enës së gjakut apo mbylljen e enëve. Si pasojë, mund të ketë infarkt në atë regjion (tru, zemër apo veshkë).”- ka thënë Shurdhiqi.
Ndërsa, Specialisti i Mjekësisë Familjare, Fevzi Sylejmani, ka thënë se yndyrat e formuara në arterie nuk shkrihen as me preparate farmakologjike.
“Qëllimi është të menaxhohen dhe të zvogëlohen yndyrnat, që janë në qarkullimin e gjakut, në mënyrë që këto pllaka arterioskerotike të mos rriten dhe të shkaktojnë infarkte apo incidente në tru.”- ka thënë Sylejmani.
Kardiokirurgu, Rifat Brahimaj thotë se në mjekësi nuk ekziston termi ‘pastrimi i enëve të gjakut’ dhe, se nuk ekziston asnjë produkt që i ‘pastron’ enët e gjakut nëse ato janë të dëmtuara.
“Nëse enët e gjakut janë të padëmtuara ose pjesërisht-të-dëmtuara, për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë duhet të kontrollohen faktorët që i dëmtojnë, siç janë: presioni i lartë i gjakut, duhanpirja, diabeti, niveli i lartë i yndyrnave në gjak, jeta aktive me ushtrime fizike dhe ushqimi pa përmbajtje të lartë të yndyrave, me origjinë shtazore”- thuhet në përgjigjen e Brahimajt, në një shpjegim për Krypometër.
|