schema:text
| - Rrena për vende të lira të punës për paketim të vezëve
Deklarata
Punësimi i një paketuesi vezësh mund të bëhet në çdo kohë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi ”Punësimi i një paketuesi vezësh mund të bëhet në çdo kohë”- është i rremë. Në këtë njoftim nuk janë dhënë detaje të konkursit, as lokacioni i punës, emri i kompanisë, paga apo ndonjë email kontaktues për dërgim të CV-ve. Faqja në Facebook Amy-Y (arkiva) që e ka publikuar këtë njoftim menaxhohet nga një llogari nga Nepali dhe nuk ka asnjë postim tjetër në gjuhën shqipe apo për Kosovën. Në faqet kryesore që publikojnë njoftim për vende të lira të punës (KosovaJob, OfertaPune, PortalPune) nuk është asnjë konkurs i hapur për paketim të vezeve.
Artikulli
Më 22.08.2024 faqja në Facebook Amy-Y(arkiva) ka publikuar një njoftim për konkurs pune si paketues vezësh.
”Punësimi i një paketuesi vezësh mund të bëhet në çdo kohë”- shkruan në titullin e këtij njoftimi.
Tutje në njoftim thuhet se “Nervojitet urgjent paketuesit e vezeve”, të cilët do të kenë sigurim bazë, pushime e pagesë, ushqim dhe akomodim, ndërsa orari i punës është nga ora 10 deri në 17:00, 4 ditë punë dhe 3 ditë pushim.
Faqja në Facebook Amy-Y(arkiva) që e ka publikuar këtë njoftim është themeluar më 17.06.2024 dhe menaxhohet nga një llogari nga Nepali. Kjo faqe nuk ka asnjë postim tjetër në gjuhën shqipe apo për Kosovën.
Kur klikon në këtë postim të dërgon tek një ueb-faqe “boxpacking-job02.xyz” (arkiva) në të cilën nuk mund të gjendet asnjë informacion rreth këtij konkursi, lokacioni i vendit të punës, emri i kompanisë, paga apo ndonjë email kontaktues për dërgim të CV-së apo ndonjë numër kontaktues.
Nëse klikon njërën nga opsionet në ueb faqe “boxpacking-job02.xyz” të dërgon tek një tjëtër faqe (arkiva) e ajo faqe të dërgon tek një tjetër, që bën shitjen e kutive (arkiva) për paketim të gjërave të ndryshme, por aty nuk ka ndonjë konkurs për Kosovë.
Pra në asnjë prej këtyre faqeve nuk janë dhënë detaje të konkursit, as lokacioni i punës, emri i kompanisë, paga apo ndonjë email kontaktues për dërgim të CV-së.
Krypometër e ka kontrolluar domenin në faqen whois.com dhe aty thuhet se e njëjta është regjistruar më 14.03.2024, ndërsa emri i pronarit të saj nuk është publik.
Krypometri ka kërkuar po ashtu edhe në faqe në të cilat publikohen konkurse pune në Kosovë.
Në faqen KosovaJob nuk ka ndonjë konkurs të tillë për paketues.
Edhe në faqen OfertaPune, Krypometër nuk ka gjetur ndonjë konkurs pune për paketues.
Në faqen PortalPune nuk është gjetur ndonjë konkurs i ngjashëm. Krypometër ka kontaktuar me Ardit Krasniqin nga “PortalPune”, i cili ka thënë se elementet bazike të një konkursi dhe të punëdhënësit janë: adresa dhe kontakti, lokacioni i vendit të punës që është shpallur konkursi, etj.
Ndërsa ky lajm është shpërndarë në gjuhë të ndryshme të botës nga po i njëjti profil.
Krasniqi ka thënë se për të shmangur konkurset e rreme e mashtruese, në PortalPune të gjithë punëdhënësve ju kërkohen të dhënat e biznesit, siç është numri unik i biznesit.
“Ne e kërkojmë atë numër identifikues (pra, numrin unik të biznesit) në mënyrë që me ditë kush po shpallë punë edhe ku është adresa e shpallësit dhe kush është pronari, në mënyrë që mos me manipulu me punëkërkuesit”- ka thënë ai.
|