schema:text
| - Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit. Foto: Atdhe Mulla
Rrena për funksionalizimin e objektit të Zjarrfikësve në Deçan
Deklarata
Bashkim Ramosaj: “Objekti i ri është ndërtuar, por për shkaqe teknike, të disa mangësive që ka pasë në ndërtim e sipër nuk është i gatshëm ende për pranim teknik të atij objekti. Po besoj që së shpejti do jetë në funksion të tyre. Unë po mendoj që deri kah muaji mars ata do jenë të alokum në atë objekt”
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Zjarrfikësit ende nuk janë vendosur në objektin e ri, të ndërtuar tre vjet me parë. I njëjti asnjëherë nuk u shfrytëzua deri më tani, por ai tashmë ka nevojë për renovim. Kryetari aktual kishte premtuar se zjarrfikësit do të zhvendosen në objektin e ri në muajin mars, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Investimet kanë shkuar huq deri më tani pasi objekti i ri nuk është duke shfrytëzuar.
Artikulli
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, nuk e ka mbajtur fjalën për funksionalizimin e plotë të objektit të ri të njësitit të Zjarrfikësve. Për pasojë, zjarrfikësit e kësaj komune po vazhdojnë të qëndrojnë në Pallatin e Kulturës, i cili gjendet në oborrin e objektit të Komunës. Ata, që nga viti 2015 janë në pritje që të vendosen në objektin e ri.
Gjatë fushatës zgjedhore, në emisionin “Jeta në Komunë” të zhvilluar për të parin e Komunës, ish-udhëheqësi i Njësitit të Zjarrfikësve në Deçan, Bashkim Ramosaj, u pyet nga Jeta Xharra, se kur do t’i vendosë ish-kolegët e tij në objektin e ri.
Ramosaj kishte premtuar që ish-kolegët e tij zjarrfikës do vendosen në objektin e ri gjatë muajit mars të vitit 2018.
“Objekti i ri është ndërtuar, por për shkaqe teknike të disa mangësive që ka pasë në ndërtim e sipër nuk është i gatshëm ende për pranim teknik të atij objekti. Po besoj që së shpejti do jetë në funksion të tyre. Unë po mendoj që deri kah muaji mars ata do jenë të alokum në atë objekt”, tha Ramosaj (Shih KËTU nga min 1:17:14).
I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i Shërbimeve Publike në Deçan, Izet Zenuni, tha se Njësiti i Zjarrfikësve ende nuk është vendosur në objektin e ri.
Sipas tij, gjatë dimrit ka pasur plasaritje të disa gypave dhe është dashur të intervenohet sërish për riparimin e tyre.
Zenuni bëri të ditur se deri në fund të muajit maj, zjarrfikësit e Deçanit do vendosen në objektin e tyre.
Nga viti 2005 gjerë në vitin 2008, kryetari aktual i Deçanit, Bashkim Ramosaj, mbante pozitën e udhëheqësit të Njësitit të Zjarrfikësve në Deçan.
Njëjtë sikurse Ramosaj, KRYPOMETRI kishte zënë në rrenë edhe ish kryetarin e Deçanit, Rasim Selmanajn për çështjen e objektit të zjarrfikësve.
Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth problemeve dhe neglizhencës së institucioneve lokale rreth objektit të Zjarrfikësve në Deçan.
http://kallxo.com/mosdakordimi-i-komisionit-me-kompanine-le-zjarrfikesit-pa-objekt-te-ri/
|