schema:text
| - Raketat ‘Javelin’ pritet të vijnë në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm
Deklarata
Anulohen raketat ‘Javelin’ per Kosoven/ Ejup Macedonci tregon se çfare po ndodh me ato- detaje
Vlerësimi
Me kos
Është i pasaktë konstatimi i bërë në titull: “Anulohen raketat ‘Javelin’ per Kosoven/ Ejup Macedonci tregon se çfare po ndodh me ato- detaje”. Procesi i blerjes së raketave ‘Javelin’ nuk është anuluar, pasi ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka thënë se është ekzekutuar pagesa e këstit të parë, ndërsa pritet që brenda vitit 2024 të bëhet edhe pagesa e këstit të dytë. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes ka thënë se Raketat Javelin pritet të vijnë në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, ashtu siç është planifikuar në marrëveshje.
Artikulli
Më 28.10.2024 faqja në Facebook ‘Ntv Televizion’ (arkiva) ka publikuar një infografikë në të cilën shihet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në infografikë shkruhet: “Anulohen raketat ‘Javelin’ per Kosoven/ Ejup Macedonci tregon se çfare po ndodh me ato- detaje”. Me të njëjtin titull është publikuar edhe artikulli në faqen e internetit ntv.al (arkiva).
Krypometër ka analizuar përmbajtjen dhe atë se çka është shkruar në titull, dhe ka verifikuar se të njëjtat nuk përshtaten, pasi në tekst është cituar një intervistë e ministrit Maqedonci, i cili flet për raketat “Javelin”, mirëpo askund nuk thotë se është anuluar procesi i blerjes së sistemit “Javelin”.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Mbrojtjes për të kërkuar sqarime nëse janë anuluar raketat “Javelin” për Kosovën.
Zëdhënësja në këtë ministri, Liridona Gashi ka konfirmuar se ky lajm nuk është i vërtetë dhe se sistemi “Javelin” pritet që të arrijë gjatë vitit të ardhshëm ashtu siç ka qenë marrëveshja.
“Nuk do të anulohen. Pritet të vijnë gjatë vitit të ardhshëm ashtu siç edhe ka qenë marrëveshja. Pagesat janë duke u kryer dhe do të përfundojnë deri në fund të vitit”- ka thënë Gashi për Krypometër.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një intervistë në emisionin “Dpt te Fidani” ka folur për çështjen e sistemit ‘Javelin’. Ai ka theksuar se tashmë do të ekzekutojnë edhe këstin e dytë për blerjen e këtij sistemi.
“Jemi duke vazhduar aspektin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga kontrata për ‘Javelin’, kemi ekzekutuar pagesën e parë në muajin mars të këtij viti, deri në fund të këtij viti, do ta ekzekutojmë edhe këstin e dytë për blerjen e sistemeve ‘Javelin’. Gjithashtu jemi në diskutime për ardhjen e sistemeve ‘Javelin’ në kohën e duhur. Edhe tash në vizitën e fundit në ShBA, gjeneral Jashari, komandanti i FSK-së, ka ngritur çështjen e sistemeve ‘Javelin’, normalisht që këtij viti i kanë mbetur edhe përafërsisht dy muaj, dhe nuk besoj që do t’i kthemi gjatë kësaj periudhe dy mujore”- ka deklaruar Maqedonci.
Maqedonci nënvizon se viti 2025 e tutje është periudhë kur Kosova do të ketë nevojë për këto sisteme për validim dhe certifikim të njësiteve të FSK-së.
“Besoj që do t’i kemi shumë shpejt. Ideja është që është t’i kemi në kohën kur do na nevojiten për validim dhe certifikim të njësiteve tona, viti 2025 e tutje është periudhë kur do të kemi nevojë për këto sisteme. Nuk po e them saktësisht në vitin 2025, por prej vitit 2025 e tutje gjithsesi do ta kemi”- është shprehur ministri.
Më 11.01.2024, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte konfirmuar se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.
“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA”– tha Maqedonci.
Ai më pas, më 12.02.2024, sqaroi se ka përfunduar periudha 30- ditore (arkiva) e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit anti- tank “Javelin”, e se tashmë ishte hapur rruga që të vazhdohet me hapat e tjerë.
Por, cilat janë karakteristikat e raketave “Javelin”?
Këto raketa u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj.
Ky mjet luftarak doli shumë efikas në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.
Këto armë janë të prodhuara nga dy kompanitë, Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.
Sipas të dhënave që janë të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem armësh precize kundërtank, të lëvizshme dhe të vendosura në platformë.
Pra, raketa në fjalë mund të përdoret edhe nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur atë mbi supe për të qëlluar nga lart apo drejtpërdrejt objektivin, por edhe mund të vendoset mbi automjetet ushtarake.
Një raketë e tillë vlerësohet se mposht të gjitha forcat e blinduara të njohura dhe të projektuara, si dhe objektiva të buta dhe të parregullta.
“Javelin”, sipas kompanisë, përdor teknologjinë “fire-and-forget” duke drejtuar veten drejt objektivit pa komanda të jashtme ose përcaktimin e objektivit.
Kompanitë që prodhojnë këtë lloj arme thonë se një aftësi e tillë siguron mbijetesë superiore për operatorët, pra ushtarët që përdorin armë të tillë, të cilët pas gjuajtjes që mund të zhvendosen menjëherë në vende të sigurta, e nuk mbesin të ekspozuar.
|