schema:text
| - Informacioni i rremë se Bedri Hamza i ka dhënë tender Millan Radoiçiqit
Deklarata
Me Hekuran Murtatin, ministër te financave, 0 tendera për Radojqiqin! Me Bedri Hamzën, ministër të financave, dhjetra miliona euro tendera për Radojqiqin dh grupet e tijë kriminale!
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë pretendimi se “Me Hekuran Murtatin, ministër te financave, 0 tendera për Radojqiqin! Me Bedri Hamzën, ministër të financave, dhjetra miliona euro tendera për Radojqiqin dh grupet e tijë kriminale!”. Ministria e Financave nuk ka nënshkruar kontratë me kompaninë e Millan Radoiçiqit, si pretendohet në këtë postim. Kompanitë e ndërlidhura me njerëz të afërt të Radoiçiqit kishin marrë tenderë kryesisht nga Komunat e udhëhequra nga Lista Serbe, ku nënkryetar ishte Millan Radoiçiq dhe disa Kontrata si nënkontraktor për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale.
Artikulli
Më 07.02.2025, llogaria në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër Bedri Hamza, ishnënkryetari i Listës Serbe dhe personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, Millan Radoiçiq.
Fotografia mban përshkrimin “Me Hekuran Murtatin, ministër te financave, 0 tendera për Radojqiqin! Me Bedri Hamzën, ministër të financave, dhjetra miliona euro tendera për Radojqiqin dh grupet e tijë kriminale!”
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontrolluar në faqen e Prokurimit të Hapur të gjithë tenderët që janë dhënë nga Ministria e Financave, në kohën kur Ministra kanë qenë Bedri Hamza e Hekuran Murati.
Në faqen e Prokurimit të Hapur nuk figuron asnjë tender që është nënshkruar me kompanitë e lidhura me Radoiçiqin, gjatë kohës kur Hamza ka qenë Ministër, nga data 09.09.2017 deri më 26.11.2029.
Kjo Ministri nuk kishte nënshkruar Kontrata me kompanitë e Radoiçiqit, as në kohën kur Ministër ishte Hekuran Murati.
Më tej, Krypometër ka kontaktuar edhe me Zyrën për Media në PDK për të kuptuar vërtetësinë e materialit të shpërndarë në Facebook.
“Është lajm i rremë”- ka thënë Albatrit Matoshi nga PDK, duke shtuar se Hamza nuk e ka nënshkruar asnjë kontratë me bizneset e Radoiçiqit.
Kush i kishte dhënë tenderë kompanisë “RAD”?
Krypometër ka kontrolluar faqen e E-Prokurimit dhe rezulton se kompania “RAD” kishte marrë tender kryesisht nga Komunat e udhëhequra nga Lista Serbe, në të cilën nënkryetar ishte Milan Radoiçiq dhe disa Kontrata si nënkontraktor për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale.
Më 17.12.2021, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se kompanisë “RAD” i është ndërprerë kontrata, ndërsa mirëmbajtja e rrugëve në veri do të bëhet nga dy kompanitë e konsorciumit “B Corp” dhe “Europa Parters”.
“Nga sot kompania ‘RAD. D.O.O’, e cila është futur në Listën e Zezë të Thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: ‘Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021-2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale’. Sot është nënshkruar Amandamenti i Kontratës, ku pjesë e konsorciumit mbeten kompanitë ‘B Corp’ dhe ‘Europa Parters’, të cilat së bashku i plotësojnë kriteret e dhënies. Edhe do ta bëjmë mirëmbajtjen e rrugëve në veri, edhe kompaninë në fjalë e kemi hequr nga Kontrata.”- thuhej në njoftim.
Prej vitesh Radoiçiq është përshkruar si “bossi i veriut”, duke u bërë njeriu më me ndikim te serbët lokalë në katër Komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova janë vendosur në Listën e Sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij Departamenti, publikoi një listë të personave dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në Listë të Sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta. Pas SHBA, edhe Britania e Madhe në dhjetor të vitit 2022 ka sanksionuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Në Raport thuhet se Millan Radoiçiq, biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe “ka përfituar nga shpërdorimi i Kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit Kontrata fitimprurëse”.
Kompania “RAD”, pronar i së cilës është Radulle Steviq, që është futur së fundmi në Listën e Zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e grupit të Millan Radoiçiqit, kishte kontraktuar kompaninë në pronësi të qytetarit të komunitetit shqiptar (“N.N.T A.B.C” me pronar Arben Jetullahu), për të realizuar një numër të madh të projekteve kapitale në katër komunat me shumicë serbe.
Sipas hulumtimit të KALLXO.com, i publikuar në fund të dhjetorit 2021, kompania “RAD” D.O.O. ka lidhje të dyshuara me Millan Radooçiqin përmes bizneseve dhe investimeve në Ulqin. Hulumtimi ka zbuluar bashkëpunime mes kompanive me pronarë shqiptarë dhe “RAD” D.O.O., që dyshohet se është e lidhur me aktivitetet e Radoiçiqit në veri të Kosovës. Për më shumë detaje, mund të shikoni hulumtimin e plotë në këtë vegëz.
|