schema:text
| - Rrena se janë falur borxhet e energjisë elektrike
Deklarata
Njoftohet furnizuesi i energjisë elektrike se nga qershori 2024, të gjithë personat mbi moshën 50 vjecare që jetojnë në Kosovë do marrin rimbursim mes 63% dhe 90% të faturave të tyre të energjisë elektrike
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Njoftohet furnizuesi i energjisë elektrike se nga qershori 2024, të gjithë personat mbi moshën 50 vjecare që jetojnë në Kosovë do marrin rimbursim mes 63% dhe 90% të faturave të tyre të energjisë elektrike” është i rremë. Ministria e Ekonomisë e as Qeveria e Kosovës nuk kanë publikuar thirrje për subvencionim të energjisë për gjithë qytetarët e Kosovës. Faqja që e ka publikuar këtë informacion në Facebook menaxhohet nga Banglladeshi e Hong Kongu, ndërsa domeni i faqes së internetit që e kishte publikuar linkun ishte hapur në ditën e publikimit të njoftimit në Facebook.
Artikulli
Më 20.06.2024 faqja në Facebook ‘KDservice’ (arkiva) ka publikuar një thirrje për subvencionim të energjisë elektrike. Në këtë thirrje thuhet “Njoftohet furnizuesi i energjisë elektrike se nga qershori 2024, të gjithë personat mbi moshën 50 vjecare që jetojnë në Kosovë do marrin rimbursim mes 63% dhe 90% të faturave të tyre të energjisë elektrike”.
Po ashtu, është bashkangjitur edhe një tabelë me përqindjen e subvencionimit që do të përfitonte secila grupmoshë. E gjithë kjo thirrje është bërë nën një logo të Republikës së Kosovës e bashkangjitur në fotografi.
Krypometër fillimisht ka kontrolluar nëse faqet që e kanë publikuar këtë informacion janë të hapura në Kosovë. Të dhënat në Facebook thonë se faqja KDservice menaxhohet nga gjashtë persona të vendosur në tri shtete të ndryshme: Bangladesh (3), Hong Kong (2) dhe Malejzi (1).
Kur klikohet postimi hapet faqja electricitysuppliers31.life, në të cilën nuk është asnjë njoftim për aplikim për subvencione. Krypometër ka kontrolluar domenin e faqes electricitysuppliers31.life dhe rezulton se e njëjta është hapur më 20.06.2024, në ditën që është bërë edhe postimi në fjalë në Facebook.
Krypometër ka kontrolluar nëse është publikuar një thirrje e tillë për subvencionim të energjisë nga institucionet e Kosovës.
Krypometër ka gjetur se një thirrje për subvencionim të energjisë ishte publikuar në fillim të vitit 2024, mirëpo ajo ishte vetëm për familjet e cenueshme.
Ky postim kishte marr reagime por edhe shpërndarje nga ana e lexuesëve, prandaj Krypometër ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Ekonomisë. Ata kanë thënë se postimi është i rremë dhe rrena të tilla kanë hasur edhe gjatë javëve të kalura duke i detyruar ata të bëjnë reagime në Facebook në mënyrë që mos të mashtrohen qytetarët.
Krypometër ka gjetur se më 07.06.2024, Ministria e Ekonomisë kishte publikuar një reagim për postimet lidhur me thirrjet për falje të borxheve.
“Ministria e Ekonomisë (ME) ju njofton se të gjitha shpalljet, njoftimet dhe informacionet për dhe rreth Ministrisë së Ekonomisë, qytetarët mund t’i gjejnë vetëm ne rrjetet sociale të ME-së: ueb-faqe, Facebook, Twitter dhe Youtube dhe në mediat/ portale të cilat operojnë në Kosovë”
“Çdo informacion jashtë kanaleve të lartcekura, nuk janë reale”- u theksua në reagimin e Ministrisë.
|